Aktualisht në karantinë janë 338 persona, Qendra e Studentëve përgatitet për të kthyerit e rinj
Zëvendësministri në detyrë i Shëndetësisë, Izet Sadiku, ka njoftuar se Qendra Studentore është gati të pranojë qytetarët e Kosovës që do të vijnë nga jashtë, dhe do të futen në karantinë për shkak të Covid-19.
Ai ka thënë se aktualisht në konvikte janë 338 persona, ndërsa nga mbi 1 000 sa kanë qenë në total, 650 persona janë testuar për Covid-19 dhe liruar.
Sadiku ka njoftuar se deri më tani shtatë persona kanë dalë pozitiv nga karantina e konvikteve.
“Po përgatitemi edhe për grupet tjera që do të kthehen në Kosovë. Falënderim të gjithë atyre që kanë kontribuar e veçanërisht stafit të Qendrës së Studentëve, stafit mjekësor të IKSHP dhe mjekësisë familjare të Prishtinës, Fushë Kosovës, Lipjanit, Obiliqit dhe Drenasit, stafit të Qendrës Operative Emergjente të MSH-së,Policisë së Kosovës, FSK-së dhe vullnetarëve”, ka shkruar ai në llogarinë e vet në “Facebook”.