Akuzat e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj PDK-së për “Stërkeqje të Demokracisë”

06 gusht 2024 | 20:23

Shkruan: Hisen Berisha
Në lidhje me deklaratën e zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, që kanë etiketuar e akuzuar PDK-në për ‘stërkeqje të demokracisë’, mendoj se është e rëndësishme që akuzat politike të mbështeten me fakte konkrete, që duhen parë në proces.

Edhe lufta për çlirim, organizimi e drejtimi i saj; edhe paqja, procesi i ndërtimit të saj; marrëveshjet ndërkombëtare; pavarësia dhe ndërtimi i shtetit e funksionalizimi institucional i përcjellur me emancipimin politik konform parimeve të demokracisë sartoriane, dhe standardeve e praktikave më të mira të BE-së dhe Brukselit, kanë tagrin e PDK-së.
Duke iu falënderuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila është gardian i ruajtjes së shtetit dhe institucioneve kushtetuese, arritëm të shpëtojmë nga kjo pjellë jugonostalgjikësh, shumë mekanizma të rëndësishëm si Forcat e Armatosura, si Ushtri Profesionale, nga koncepti i tyre lindor rus e ish-jugosllav. Po mundohemi ta shpëtojmë me vështirësi të mëdha, ngase po e kamuflojnë gjoja me reforma të brendshme, edhe Policinë e Kosovës, segmente të rëndësishme si hetuesia, njësitë për operacione speciale, inteligjencën, etj. Pastaj është evident fakti se i kemi rrëzuar në rrugë kushtetuese 11 ligje të dëmshme dhe antikushtetuese me iniciativë të PDK-së, e shumë të tjera nga partitë opozitare. Kjo po bëhet në këtë rrugë ligjore institucionale, për shkak se janë komprometuar politikisht institucionet për mbrojtjen e demokracisë si OMBUDSPERSONI, Zyra Kombëtare e Auditimit, KMLDNJ, etj.

Përndryshe, edhe kjo deklaratë ngjason e tingëllon e dalë nga e njëjta kuzhinë e propagandës së ekipit të argatëve nga mazhoranca qeverisëse që po zbatojnë agjendën serbo-ruse për zhbërjen e pavarësisë së Kosovës në emër të “Republikës së Tretë” dhe instalimin e neokomunizmit si një e keqe dhe rrezik me probabilitet, kohëzgjatje e rrezik më të madh se probabiliteti i një sulmi të mundshëm nga Serbia. Për këtë i kanë ndërtuar komitetet përkatëse që udhëhiqen nga një personalitet i ndjekur nga Kosova si “non grata” me vendim të Qeverisë së Kosovës dhe sinjalizimin e Shërbimit Inteligjent të Kosovës dhe shërbimeve inteligjente të vendeve të QUINT-it.

Këta argatqikët që po tentojnë të rriten nën përkujdesin e zonjës “non grata”, po edukohen e trajnohen për ta luftuar demokracinë edhe ashtu të brishtë, që po ndërtonim në Kosovën shtet i pavarur e sovran, deri me ardhjen e tyre në pushtet, përmes “revolucionit me shami të kuqe” me financa e logjistikë me identitet të dyshimtë.

Stërkeqje e demokracisë është ndërhyrja në gjyqësor, mbrojtja e Nagipit e Irfanii, vjedhësve të rezervave të shtetit, me shkel kushtetutën e mos me leju me u funksionalizuar mbikëqyrja parlamentare, bllokimi i hetimeve parlamentare me sabotim të komisioneve, refuzim të përgjigjeve në pyetjet e parlamentarëve në emër të votuesve, stërkeqje e demokracisë është keqmenaxhimi i buxhetit, keqqeverisja e shtimi i varfërisë.
Po! Jam dakord se PDK e ka “stërkequr demokracinë” vetëm në një moment, kur i ka lejuar “revolucionarët me shamija të kuqe”, ta keqpërdorin demokracinë, kur organizuan eksodin nëpër Serbi për Suboticë në vendet evropiane; kur gjatë revolucionit të shamijave të kuqe, rrënuan Kryeqytetin dhe institucionet qëndrore të shtetit me mjete terroriste, sulmuan bartësit e tyre dhe lënduan pashërueshëm policët në detyrë; kur shkaktuan vdekjen me vrasje apo vetëvrasje të katër burrave, për kauza fiktive për të abuzuar pastaj me ta e dhimbjen e familjeve; kur themeluan organizatën terroriste “Syri i Popullit” për vrasjen e personaliteteve shtetërore, kur i shndërruan shtëpitë e tyre e zyrat e organizatës së tyre në depo armatimi, kur lejuam e po vazhdojnë të jenë pjesë e kuvendit, persona me precedent penal, të cilëve iu gjenden armatime në shtëpi, u penalizuan e u dënuan, dhe ende vazhdojnë të jenë në kuvend e të votojnë ilegalisht, etj.
Po, në këtë kohë lejuam nga pozita e pushtetit ta “stërkeqni demokracinë” e nuk i burgosëm këto “Brigadat e Kuqe” sa ishin në celula. Kurse tani më, është bërë dëmi!

Në një demokraci funksionale, kritikat dhe debatet janë të natyrshme, por duhet të bazohen në argumente të qarta dhe të verifikueshme. Akuza të tilla, nëse nuk mbështeten me prova, mund të kontribuojnë vetëm në polarizimin e mëtejshëm të skenës politike dhe të dëmtojnë procesin demokratik në vend. Në vend të akuzave të ndërsjella, palët duhet të përqendrohen në dialog konstruktiv dhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dikur dukeshin…