Akuzat ndaj çlirimtarëve nga Jack Smith kanë dëmtuar rëndë Kosovën në integrimin në strukturat ndërkombëtare dhe në BE
Nga Washington DC shkruan: Prof. Dr. Fejzulla BERISHA
Akuza ndaj liderëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale, e udhëhequr nga prokurori Jack Smith, ka shkaktuar një reagim të madh në Kosovë dhe rajon, pasi shumë njerëz e shohin këtë si një përpjekje për të kriminalizuar luftën çlirimtare të Kosovës. Shumë qytetarë dhe liderë politikë e perceptojnë këtë si një akt politik, i nxitur nga propaganda serbe, e cila për dekada ka tentuar të njollosë luftën për pavarësinë e Kosovës.
Shumica e provave të përdorura nga Gjykata Speciale burojnë nga Serbia, një shtet që ka ndjekur një politikë të mohuar krimet e tij dhe të delegjitimimit të luftës së UÇK-së. Serbia ka dorëzuar mijëra dokumente dhe dëshmi të pretenduara në Hagë, shumë prej të cilave janë vlerësuar si të manipuluara dhe të fabrikuara. Për shembull, raportet për trafikimin e organeve nga UÇK-ja janë bazuar në dëshmi të pavërtetuara dhe të krijuara për qëllime propagandistike, siç është konfirmuar nga hetimet e mëvonshme të Këshillit të Evropës. Ka pasur raste kur dëshmitarët e paraqitur nga Prokuroria janë tërhequr, duke pohuar se janë kërcënuar ose paguar për të dhënë dëshmi të rreme. Dëshmitarë të tillë kanë pranuar më vonë se janë ndikuar nga autoritetet serbe për të dhënë dëshmi të rreme, siç është rasti i dëshmitarëve në procesin e Fatmir Limajt në Tribunalin e Hagës.
Gjykata Speciale është kritikuar për fokusimin e saj ekskluziv në UÇK, ndërkohë që krimet e luftës të kryera nga Serbia, të cilat përbëjnë shumicën e akteve të dhunës gjatë viteve 1998-1999, nuk janë trajtuar siç duhet. Forcat serbe masakruan me mijëra civilë shqiptarë, duke nxitur një reagim ndërkombëtar që përshpejtoi ndërhyrjen e NATO-s. Askush nga përgjegjësit kryesorë për këtë krim nuk është ndjekur penalisht. Gjatë luftës, mbi 1000,000 shqiptarë të Kosovës u dëbuan nga shtëpitë e tyre, dhjetëra mijëra u vranë, dhe qindra gra u përdhunuan nga forcat serbe. Megjithatë, liderët që urdhëruan dhe zbatuan këto krime, përfshirë Sllobodan Millosheviçin, nuk janë ndjekur në mënyrë të plotë për krimet në Kosovë.
Pretendimet për trafikim organesh nga UÇK-ja, të përmendura fillimisht në raportin e Dick Marty, kanë dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës. Këto akuza janë përdorur si bazë për krijimin e Gjykatës Speciale, por hetimet e mëvonshme nuk kanë gjetur asnjë provë për ekzistencën e një rrjeti trafikimi organesh nga UÇK-ja. Madje, shumë analistë e konsideruan raportin si një produkt të ndikimit politik serb. Rusia dhe Serbia kanë përdorur raportin e Dick Marty-t për të minuar përpjekjet e Kosovës për njohje ndërkombëtare, duke e përdorur këtë akuzë si pjesë të një strategjie më të gjerë për të delegjitimuar shtetësinë e Kosovës.
Gjykata Speciale ka ndjekur kryesisht liderët më të njohur të UÇK-së, përfshirë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili është akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Përkrahësit e tij dhe shumë qytetarë e shohin këtë si një përpjekje për të dobësuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. Po ashtu, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dy liderë të rëndësishëm të politikës dhe historisë çlirimtare të Kosovës, janë arrestuar dhe po mbahen në Hagë, duke u parë si një tentativë për të goditur simbolikën e UÇK-së,
Serbia ka përdorur çdo mjet për të përhapur një narrativë të rreme kundër UÇK-së, duke promovuar idenë se shqiptarët ishin agresorë dhe terroristë, ndërkohë që ajo kryente spastrim etnik dhe masakra. Aleatët e Serbisë, si Rusia, kanë lobuar kundër Kosovës dhe kanë forcuar narrativat anti-shqiptare në diplomacinë ndërkombëtare. Kosova përballet me sfida të mëdha për të paraqitur botës realitetin e luftës së saj çlirimtare. Gjykata Speciale, e mbështetur kryesisht në narrativat serbe, ka përbërë një pengesë për qëllimet e Kosovës në njohjen ndërkombëtare dhe integrimin në organizatat globale.
Gjykata Speciale dhe aktakuzat ndaj liderëve të UÇK-së janë produkt i një procesi që shihet si thellësisht i ndikuar nga politika dhe propaganda serbe. Në vend që të ndëshkojë agresorin, drejtësia ndërkombëtare duket se ka zgjedhur të godasë viktimat dhe çlirimtarët, duke dëmtuar parimet e drejtësisë dhe barazisë. Kosova duhet të ndërmarrë hapa konkretë për të fituar mbështetje të mëtejshme nga BE dhe SHBA, duke krijuar mundësi bashkëpunimi në fusha si siguria, ekonomia dhe zhvillimi. Angazhimi i Kosovës për të përmirësuar sundimin e ligjit dhe transparencën mund të jetë një mënyrë e fuqishme për të fituar besimin e aleatëve ndërkombëtarë dhe për të krijuar një imazh të fortë në arenën ndërkombëtare.