Akuzat për krime lufte ndaj Milosavleviq, dëshmitari, Njazi Kryeziu thotë se slogani i gardianëve ishte “më nuk rrahim por ne vrasim”
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të enjten në gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte Gavrilo Milosavleviq, para trupit gjykues u paraqitën edhe dy dëshmitarë, Ukë Thaçi dhe Njazi Kryeziu.
Dëshmitari Kryeziu para trupit gjykues rrëfeu historinë e tij, ai tha se përveç se është ish ushtar i UÇK-së, ai poashtu ishte edhe i burgosur, raporton “Betimi për Drejtësi”
Kryeziu dëshmoi për maltretimet që kishte përjetuar e i kishte parë përgjatë periudhës si i burgosur.
Fillimisht dëshmitari rrëfeu se në maj të vitit 1998 ishte burgosur, pastaj vazhdoi rrëfimin e tij të transferimit nga burgu i Prizrenit në atë të Nishit e deri tek kthimi i tyre në burgun e Dubravës.
Në rrugën e kthimit nga burgu i Nishit për në burgun e Dubraves, Kryeziu, në dëshminë e tij theksoi se gjatë gjithë rrugës kishin përjetuar maltretime nga forcat serbe.
Sipas dëshmitarit, kur kishin arritur në burgun e Dubraves, i priste një kordon përgjatë të cilit duhet të kalonin. Dëshmitari tha se aty ishin përmendur emra të ndryshëm nga forcat serbe të cilët kishin arritur ti identifikonin, ndër ta ishte i akuzuari Milosavleviq që dëshmitari tha se e thërrisnin Gara.
“Në pavionin tim i akuzuari njihej me kogja një përkushtim të veçantë të vëzhgimit të çdo gjëje dhe slogani i tyre ka qenë, më nuk rrahim por ne vrasim”, ka deklaruar ai.
Qëndrimin në burg dëshmitari e përshkruan si të njëjtë me atë në kampet e përqendrimit të luftës së dytë botërore. Kryeziu theksoi se kur dërgoheshin nga pavionet për ushqim askush nuk kishte të drejtë me ngrit kokën, por ulur as me shiku djathtas as majtas vetëm para këmbeve. Ndërsa sa i përket arsyeve ai tha “arsyeja pse nuk na kanë la me çu koken ka qenë që mos me i njoftë”
“Unë i kam pas problem rregullat, kam qenë ish ushtar i UÇK-së dhe kam mendu ma mirë me vdekë si burrat se ashtu kështu ke pas me i kalu ato proceduara…ka qenë veç një pamje, nëse je shqiptar por nëse je kanë ish ushtar i UÇK-së ke qenë i parapëlqyer për t’u rrahur…”, shtoi dëshmitari Kryeziu.
Dëshmitari përshkruajti edhe ngjarjen e Majit 1999 në burgun e Dubravës, ai tha se aty kishte shumë të lënduar që sipas tij as nuk kishe se çfarë të ju ndihmoje dhe se nga llogaritjet e tij ishin diku 174 të vrarë.
“Fatkeqësisht shumicës së tyre nuk ke pas as çka me ju ndihmu, kanë pas lëndime të rënda, plagë të medha dhe këto kanë qenë vdekjeprurëse”.
Ndërsa, i pyetur nga prokurori i rastit Kastriot Memaj se a ishte i uniformuar i akuzuari Milosavleviq, ai u përgjigj duke thënë se gjithmonë ka qenë i uniformuar.
Sipas aktakuzës së ngritur më 29 nëntor 2023, thuhet se Gavrilo Milosavlevq në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës në bashkëkryerje me persona të tjerë kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzor ndaj të burgosurve civil shqiptarë.
Gjithnjë sipas aktakuzës në bashkëkryerje me njësit policore serbe Milosavleviq kishin kryer vrasjen masive të të burgosurve shqiptarë me ç’rast në ditën e incidentit kishin urdhëruar që në oborrin e burgut të dalin 1 mijë të burgosur të vendi i quajtur “Fusha e Sportit”, me pretekstin se do t’i numëronin të burgosurit dhe do t’i dërgonin në ndonjë vend tjetër më të sigurt për t’i mbrojtur të burgosurit nga bombardimet e NATO-s.
Tutje në aktakuzë thuhet se menjëherë pas rreshtimit të të burgosurve ushtarakët serbë kishin gjuajtur në drejtim të të burgosurve me mitraloz, mortajë dhe armë të tjera dhe se ky operacion i vrasjes i cili kishte filluar nga 22 maj 1999 dhe kishte zgjatur deri më 24 maj 1999, ku si rezultat i këtyre sulmeve kishin mbetur të vrarë 109 të burgosur.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Milosavleviq në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë ushtarak serbë kishin shkuar thuajse çdo ditë nëpër pavijonet e Burgut të Dubravës, konkretisht në pavionin “B” dhe “C”, duke i rrahur në mënyrë mizorë dhe çnjerëzorë të burgosurit civil shqiptare.
Në aktakuzë përmend se si disa roje kishin shkuar edhe në qelinë ku ishte i vendosur edhe Ukshin Hoti, Gani Baliu, Skender Gashi, Mehmet Memqaj, dhe Shkelqim Zllanoga ku të njëjtëve u kishin fikur dritat fillimisht dhe pastaj ju kishin drejtuar me fjalët Ukshin Hotit “Profesor sherri juaj po na ndodhin bombardimet e NATO-s”, duke e ofenduar dhe sharë gjatë gjithë kohës, sa që në një moment thuhet se roje kishin kapur për fyti Shkelqim Zllanogën ku thuajse ja kishin ndalur frymëmarrje.
Për këto veprime i akuzuari Milosavleviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsi civile”. e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje ”LP i RSFJ-së“) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.