Akuzohet deputeti Muja: ‘Keni interesa personale për shkarkimin e Bordit të KPMM-së’
Gjatë shqyrtimit të kërkesës për shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja me ton të lartë ka qortuar kryesuesen e Bordit të KPMM-së, Selvete Grajqevci – Pllana për faljen siç thotë ai të rentës minerare në vlerë prej mbi 9 milionë euro kompanisë “Ferronikel”.
Gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, kryesuesja Grajqevci – Pllana është përgjigjur ndaj deputetit Mujës duke thënë se veprimet e Bordit kanë qenë mbi bazën ligjore.
Megjithatë, anëtari tjetër i Bordit, Gani Maliqi ka akuzuar deputetin Armend Muja, pasi që sipas tij, Muja ka për synim t’i çoj përpara agjendat e tij personale.
Fillimisht anëtari i Komisionit, Armend Muja ka thënë se një prej arsyeve pse është iniciuar shkarkimi i Bordit të KPMM-së, është falja e borxhit të rentës minerare për kompaninë “Ferronikel” me pronar Samir Mane nga Shqipëria.
Deputeti Muja qështe më i zëshmi në këtë Komision, ka pyetur kryesuesen e Bordit, Grajqevci – Pllana, se çfarë baze ka pasur falja e rentës në vlerë mbi 9 milionë euro.
“Një prej arsyeve pse është iniciuar kjo kërkesë është falja e borxhit të rentës minerare kompanisë “Ferronikel” me pronar Samir Mane nga Shqipëria. Mbi bazën e çfarë vendimi është marrë ai vendim për lirimin nga obligimet e rentës minerare në gusht të vitit të kaluar”, theksoi Muja”, theksoi ai.
Për këtë, Grajqevci – Pllana ka thënë se veprimi saj gjatë votimit në Bord ka qenë mbi rekomandimin e Komisionit shqyrtues të ankesave.
“Ne nuk kemi konsideruar borxh këtë, për arsye se ata (Ferrnikeli) kanë raportuar, por tash pse është lejuar dhjet vjet me raportuar “Ferronikel” dhe askush nga KPMM-ja mos me i thënë që nuk je duke raportuar drejt, dhe në përputhje me Udhëzimin është dashur ti jepet një afat kohor në përputhje me nenin 9. Unë kam votuar pjesërisht, qysh ka thënë Komisioni shqyrtues i ankesave”, theksoi ajo.
Pas kësaj kësaj përgjigje, deputeti Muja me zë të lartë ka qortuar kryesuesen e Bordit, Selvete Grajqevci – Pllana, duke thënë se mbi bazën votave nuk ka kaluar rekomandimin e Komisionit për ankesa dhe rrjedhimisht, sipas tij, s’ka pasur vendim për falje të borxhit.
Muja: Ju thoni këtu, po e lexoj: Kërkoj nga secili anëtarë i Bordit të deklarohet personalisht a është për ose kundër për rekomandimin e Komisionit të shqyrtimit të ankesave në lidhje me ankesën e “Ferronikelit”. E ke hedhur në votim, dy keni qenë për, tre keni qenë kundër, nuk ka kaluar rekomandimi i Komisionit për ankesa dhe rrjedhimisht s’ka pasur vendim.
Grajqevci – Pllana: Nuk kanë thënë këta që refuzohet, këta kanë thënë që aprovohet pjesërisht.
Muja: Po de, këta pjesërisht këta po thonë që aprovohet pjesërisht, por si bord e ke hedhur në votim. Keni votuar dikush për, dikush kundër, dy vet a keni qenë për, tre veta kundër, kështu që rekomandimi nuk u miratua. Çka nënkupton kjo ligjërisht, që gjendja mbetet ashtu siç ka qenë. S’ka ndryshuar vendimi paraprak.
Grajqevci – Pllana: Këta tre more i kanë pasur tri vota.
Muja: “Për këta tre kemi çështje të tjera. Ne po të pyesim vetëm ty”.
Ndaj deputetit Muja ka reaguar deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, i cili theksoi se nuk guxon në këtë mënyrë me i trajtuar njerëzit të cilët i ka zgjedhur vetë VV në Kuvendin e Kosovës.
“Vetë i keni zgjedh, dhe vendimet e Kuvendit janë të prera, nuk guxon more në këtë mënyrë me i trajtuar njerëzit. Pak dinjitet duhet me pasur, s’e nuk jemi në kohën e Enver Hoxhes. Kjo është me të ardhur keq ku ka ardhur Kuvendi i Kosovës”, theksoi Lekaj.
Por, anëtari i Bordit të KPMM-së, Gani Maliqi ka akuzuar deputetin Armend Muja se kërkesa e tij për shkarkimin e Bordit ka ndodhur për arsye që t’i çoj përpara agjendat e tij personale.
Maliqi gjatë raportimit në Komision, tha po ashtu se Muja është i njohur në opinion për aferat e tij.
“Kanë menduar që ne jemi ata që japim dorëheqje, nuk japim dorëheqje, ju lutemi mos më pengoni, kur jam duke folur. Është kërkesa, sepse deputeti Armend Muja nuk është i interesuar me i çuar përpara agjendat e shtetit, por është për me i çuar përpara agjendat personale të veta… Gabimi im i vetëm është që unë i kam besuar qeverisjes me duar të pastra edhe pa korrupsion.
Paramendoni çfarë qeverisje është kjo kur e ka brenda Armend Mujën i cili është i njohur në opinion për aferat e veta. Ne kur jemi shkuar në KPMM, ka ardhur kryeministri i Kosovës, i cili sigurisht nuk është i informuar për këto çka po ndodhin në KPMM. Po e citoi kryeministrin: Ju do të punoni, do të merrni vendime të vështira, por mos u frikësoni, sepse shtetin e keni mbrapa. Ne kemi qenë ata që kemi marrë vendime të vështira, mirëpo shteti na ka braktisur”, theksoi ai.
Në fillim të mbledhjes, kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala ka njoftuar se anëtari i Bordit të KPMM-së, Jahir Gashi ka dhënë dorëheqje të enjten, ndërsa listën e rekomanduar për shkarkim janë: Selvete Grajqevci Pllana kryesuese e Bordit, Gani Maliqi, Gani Kastrati dhe Rozeta Pushkolli Makoll.
Iniciativa për shkarkimin e Bordit ka qenë nga deputeti Armend Muja.