Al Hilali synon transferimin e Osimhenit dhe Verrattit
Al Hilal nuk e ka ndërmend të dorëzohet, pavarësisht refuzimit publik nga Kylian Mbappe. Sheikët kërkojnë një sulmues dhe tashmë kanë kthyer vështrimin nga Victor Osimhen.
Sipas “L’Equipe”, milionat që ishin destinuar për Mbappen do të shkojnë për të siguruar kartonin e sulmuesit nigerian, sigurisht jo të gjitha, por një pjesë e mirë. Me shumë mundësi, përfaqësuesit e Al Hilal do të trokasin në derën e De Laurentiis me 180 milionë euro, aq sa kërkon bosi i Napolit për të lënë të lirë sulmuesin më të mirë në Serie A.
Kur bëhet fjalë për kontrata personale, e sigurt është që klubet saudite nuk kanë rivalë. Fakt është që këtë periudhë Osimhen është kërkuar nga disa klube të rëndësishëm evropiane, ekipe si Bayern Munich apo Manchester United, por në çdo rast hasën në refuzimin e De Laurentiis. Fakt është gjithashtu që Napoli dhe Osimhen po negociojnë mundësinë për të rinovuar kontratën aktuale deri në 2027.
Sipas “L’Equipe”, Al Hilal është shumë pranë arritjes së akordit me Marco Verrattin. Mesfushori i PSG është gati të firmos një kontratë 3-vjeçare nga ku do të përfitojë 25-30 milionë euro. Më herët, gjatë kësaj merkatoje vere, Al Hilal ka siguruar shërbimet e Milinkoviq-Saviq dhe Koulibalyt.