Al Jazeera: Beogradi duhet ta kuptojë se çdo konflikt me KFOR-in do të ishte katastrofë
Zyrtarët më të lartë insitucionalë në Serbi, pas tensioneve të fundit në pjesën veriore të Kosovës, janë organizuar rreth një tendence qesharake për kthimin e personelit serb në Kosovë, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara e vitit 1999.
Në një prononcim për rrjetin mediatik “Al Jazeera”, ish-diplomati amerikan, Matthew Bryza, ka thënë se ky pretendim është “thellësisht shqetësues dhe rrezikon seriozisht shpërthimin e dhunës”.
“Jam i sigurt se presidenti i Serbisë [Aleksandër Vuçiç] do ta mbajë parasysh [prezencën e KFOR-it] teksa mendon se çfarë lloj hapash ushtarakë – aq irracional që do të ishin – mund të jetë duke menduar në veri të Kosovës”.
Prandaj, duke u nisur nga kjo, “Al Jazeera” shkruan se lidershipi në Beograd e kupton se çdo konflikt me KFOR-in nuk do të përfundonte mirë për serbët.
Për Florian Bieber nga Universiteti i Grazit në Austri, paralajmërimi i Vuçiç’it se do t’i drejtohet zyrtarisht Komandatit të KFOR’it, “është vetëm për shfaqje dhe përshkallëzim pa një kërcënim real”.
“Ka shumë retorikë luftarake, por kryesisht është një performancë. Në fund të fundit, paqeruajtësit e udhëhequr nga NATO në Kosovë nuk do të lejojnë një ndërhyrje serbe dhe kështu rreziku i luftës është shumë i ulët”.
Ndërkaq, siç ka vlerësuar, John Feffer, pushtimi i Ukrainës nga Rusia, ka përkeqësuar gjendjen në Ballkanin Perëndimor dhe ka thelluar edhe më tej ndarjen Prishtinë-Beograd.
“Lufta e Ukrainës ka treguar vështirësinë e ndërtimit të një shteti federal demokratik, multietnik, veçanërisht një shteti me një fqinj irredentist që vazhdon të ketë pretendime territoriale ndaj atij shteti të ri”.
Analisti politik dhe korrespodenti i prestigjiozes “The Economist”, Tim Judah, thekson se tensionet e vazhdueshme mes komuniteteve etnike i shërbejnë agjendës së Moskës për kapitalizimin e thyerjeve politike, sociale dhe etnike në Ballkanin Perëndimor për të krijuar telashe për Brukselin dhe Uashingtonin.
“Jam i sigurt se rusët janë shumë të lumtur dhe e inkurajojnë Serbinë të mbajë qëndrimin që është për momentin, sepse duket qartë se është në interesin e saj të përpiqet të krijojë telashe në një pjesë tjetër të kontinentit dhe të largojë vëmendjen perëndimore nga Ukraina”.
“I vetmi ndryshim është se Ukraina i ka dhënë një shtysë të shtuar BE-së dhe SHBA-së që të përpiqen të zgjidhin çështjen Serbi-Kosovë, kjo është arsyeja pse ne kemi parë kaq shumë aktivitet diplomatik gjatë muajve të fundit”, përfundoi Judah.