Al Sabah: Sportistët e Kosovës nuk do të kenë pengesa
Rasti i Donjeta Sadikut për mospjesëmarrje në gara ndërkombëtare nuk pritet të përsëritet më, pasi të martën presidenti i ANOC-ut, Sheikh Ahmad Al Fahad Al Sabah, ka premtuar se sportistët e Kosovës do të jenë të barabartë me sportistët e tjerë. “Vendet që kanë vendosur të jenë mikpritëse të kampionateve duhet të na lajmërojnë neve para se ta fitojnë të drejtën e organizimit. Ato vende duhet të na garantojnë se do të nënshkruajmë një lloj marrëveshje për pjesëmarrjen e atletëve, pavarësisht prej çështjes politike”, ka thënë Al Sabah.
Presidenti i Asociacionit të Komiteteve Olimpike Kombëtare (ANOC), Sheikh Ahmad Al Fahad Al Sabah, ka thënë se sportistët e Kosovës do të marrin pjesë në kampionate të ndryshme, pasi ANOC-u do të kërkojë nga vendet organizatore ta garantojnë pjesëmarrjen e të gjithë atletëve në mënyrë të barabartë.
“Vendet që kanë vendosur të jenë mikpritëse të kampionateve duhet të na lajmërojnë neve para se ta fitojnë të drejtën e organizimit. Ato vende duhet të na garantojnë se do të nënshkruajmë një lloj marrëveshje për pjesëmarrjen e atletëve pavarësisht prej çështjes politike”, ka thënë Al Sabah në konferencën e fundit para se të largohet nga Kosova.
Rasti i fundit që një sportisti të Kosovës nuk iu lejua pjesëmarrja ishte boksierja Donjeta Sadiku, e cila, pavarësisht prej përgatitjeve maksimale, nuk mbeti jashtë Kampionatit Botëror të Boksit për Junior, sepse India ende nuk i ka njohur pasaportat e Kosovës.
Presidenti i ANOC-ut, Sheikh Ahmad Al Fahad Al Sabah, më pas bëri me dije se është i lumtur se në të gjitha takimet që kishte me drejtuesit e shtetit të Kosovës, ka marrë premtime për investime në sport.
“Jam i lumtur dhe krenar për këtë vizitë, pasi kisha shumë takime dhe vizita të rëndësishme. Gjatë kësaj kohe kisha takime me krerët më të lartë shtetërorë. Jam i kënaqur, sepse të gjithë më garantuan se sporti në Kosovë do të jetë një nga modelet më të mira në botë, dhe tash biseduam me presidentin e KOK-ut, Besim Hasanin, për organizatat e tjera sportive siç janë VAS dhe KAS. Kjo do të na ndihmojë për ngritjen e të gjitha strukturave përfundimtare për sportin e Kosovës. Me Komitetin Olimpik jemi duke punuar së bashku për t’i përgatitur atletët për Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’, po ashtu që Kosova të jetë nikoqire në konferenca të ndryshme, të komiteteve të ndryshme botërore”, ka shtuar ai.
Ndërsa presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, vizitën e Sheikh Ahmad Al Fahad Al Sabah e ka cilësuar shumë pozitive për të gjithë komunitetin sportiv në vend.
“Vizitat e këtyre njerëzve me përvojë të jashtëzakonshme, siç është rasti i shkëlqesisë së tij Al Sabah, i cili ka qenë 11 herë ministër në sektorë të ndryshëm, ndërsa në lëvizjen olimpike pothuajse ka qenë në të gjitha funksionet. Aktualisht ai është duke kryer shumë funksione në nivele ndërkombëtare. Përvoja e tij dhënë këtyre ditëve ka qenë jashtëzakonisht e dobishme për njerëzit e sportit”, ka thënë Hasani.
(Veton ZYMBERI)