Alarm në Greqi, po vidhen gurët e plazheve
Zakonisht, në këtë periudhë të vitit, plazhet greke i gëzohen rrezeve të diellit të ditëve të fundit të verës. Por, lajmet prej tyre, së fundmi, nuk kanë qenë fort të këndshme.
Fillimisht ishte incidenti tmerrues në plazhin Navagio në Zante, ku copëza shkëmbinjsh u shkëputën duke kursyer për fat pushuesit në plazh. Tani, vjen edhe lajmi se një gji në Skiathos, ishullin që shërbeu edhe si skenë e filmit të parë “Mamma Mia”, po humbet guralecët e lëmuar të tij aq shpejt sa që aktivistët janë detyruar të marrin masa drastike.
Këtë javë, një kontenier i madh me mbishkrimin “Kutia e kthimit të guralecëve të plazhit Lalaria” është shfaqur në Aeroportin e Skiathosit, ndërsa banorët lokalë kanë nisur fushatën e shpëtimit të plazhit nga turistët që tentojnë të marrin me vete në shtëpi si suvenirë, gurët e mermertë.
“Në plazhin tonë vërtetë nuk pati rrëshqitje apo shkëputje shkëmbinjsh, por dora e njeriut po e shkatërron këtë bukuri natyrore me ritme alarmante”, thonë aktivistët.