Alarmante: Sot një litër vaj 3.49 euro
Vazhdojnë të rriten me të madhën çmimet në Kosovë, në të gjithë artikujt ushqimor.
Brenda 24 orëve janë rritur çmimet 100 për qind.
Dje një litër vaj ishte 2.29 euro, ndërsa sot 3.49 euro.
Ndërkaq në disa markete të mëdha nuk gjendet as miell.
“Në marketet tona aktualisht s’gjendet as dhe një kilogram miell. S’kam blerë as për vete”, ka thënë në emisionin DPT te Fidani në T7, afaristi Ramiz Kelmendi, pronar i ETC-së.
Për rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore ka reaguar edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj.
Ai ka kërkuar nga Albin Kurti të reagojë në lidhje me këtë situatë ose të lëshojë rrugë.
“Vepro ose lësho rrugë Albin Kurti. A je në tokë të bukës o Albin Kurti. Kush është ka ta saboton shtetin?! A po sheh se matrapazët po ta godasin popullin. Një litër vaj brenda natës po të shtrenjtohet gati dyfish!”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”, raporton “Epoka e re”.
Haradinaj ka parashtruar një pyetje për kryeministrin.
“A je edhe ti pjesë e këtij skenari, apo je shndërruar në “komisar për moral”! Zgjohu o Kryeministër e kryeje detyrën që ta ka dhënë populli, ose lësho rrugë. A po e sheh se është ka soset durimi!”, ka shkruar Haradinaj.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar me rastin e rritjes së çmimit të vajit.
“3.49 euro vaji. S’ka të bëjë më as me krizën as me mungesën. Ky është krim! Krimi po ndodhë me lejen e Qeverisë”, ka shkruar Musliu në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ajo ka thënë se “nga mungesa e vullnetit, vizionit dhe guximit me dalë me u ballafaqu me situatën në teren. A ka inspektor ky vend qe ndal abuzimin me xhepin e varfër të qytetarëve”, ka shkruar Musliu.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari në një konferencë për medie ka bërë me dije dje se së bashku me Autoritetin e Konkurrencës janë duke i identifikuar marrëveshjet e tregtarëve për manipulime të mundshme me produkte në treg.
“Ne nuk mund t’i kontrollojmë çmimet, por mund të marrim masa. Ne kemi marrë masa të ndryshme, duke filluar nga nafta. Mund të këtë edhe devijime të çmimit në treg, aty ku tregtohen dhe furnizohen. Kjo nuk është fer në treg dhe përmes bashkëpunimit me Autoritetin e Konkurrencës ne do t’i identifikojmë të gjitha këto marrëveshje të përbashkëta të tregtarëve dhe produkteve të ndryshme në treg”, ka thënë Hajdari.
Profesori Vigan Qorrolli ka thënë se koha është për spekulantët e tregut dhe përfituesit e tragjedisë njerëzore.
Ai ka bërë thirrje që urgjentisht të ndërhy shteti.
“Litri i vajit ushqimor në nga 0.80 € në 3.49 €. Shteti duhet të ndërhyje urgjentisht sepse kjo s’ka lidhje me asnjë princip të ekonomisë së lirë të tregut – ku ai është spektator. Kjo është një nekrofili tyxharësh ‘par excellance’”, ka shkruar në “Facebook” Qorrolli.
Edhe analisti Imer Mushkolaj ka reaguar pas rritjes së çmimeve të produkteve bazë në Kosovë, ku sot një litër vaj ka arritur çmimin deri në 3.49 euro.
Mushkolaj ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” se secili tregtar që abuzon me çmimet brenda ‘natës’ duhet të inspektohet nga shteti.
“Tregtarë abuzues. A ka inspektorë, a ka shtet që i nalë këta mashtrues, që brenda natës rrisin çmime 100 për qind?”, ka shkruar Mushkolaj.
Ndërkaq deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka thënë se kjo rritje e çmimeve i ka zënë në gjumë qeveritarët.
“Ngritje e jashtëzakonshme e çmimeve, rritje e presionit dhe stresit tek qytetarët. Qeveritarët në gjumë!”, ka shkruar Lekaj në “Facebook”.