
Alarmi i Von der Leyen: Perëndimi siç ishte, mbaroi! BE-ja do zgjerohet, 12 vende në proces integrimi
“Perëndimi siç ne e njihnim nuk ekziston më”. Është kjo deklarata e fortë që vjen nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen e cila në një intervistë për gazetën gjermane “Zeit”, ka deklaruar se aleancat ShBA – Perëndim është tronditur nga ardhja në pushtet e presidentit amerikan, Donald Trump.
Në intervistën e saj, Von Der Leyen, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të fuqizohet dhe të mbështetet tek vetja me synim autonominë strategjike.
Presidentja e Komisionit Evropian, ka paralajmëruar se aleanca tradicionale Perëndim – ShBA ka hyrë tashmë në një epokë ndryshimesh të pakthyeshme.
Megjithatë me një gjuhë të qartë, Von Der Leyen është shprehur se teksa disa aleanca po tronditen, Bashkimi Evropian nuk do të hedhë poshtë askënd dhe do të vijojë me ambiciet e tij për zgjerimin e kësaj aleance.
“Perëndimi siç ne e njihnim nuk ekziston më. Evropa vijon të jetë një projekt paqeje. Ne nuk kemi vëllezër apo oligarkë që bëjnë rregullat. Ne nuk i pushtojmë fqinjët tanë dhe nuk i ndëshkojmë ata. Përkundrazi, ne kemi dymbëdhjetë vende në listën e pritjes për t’u bërë anëtar të Bashkimit Evropian. Po flasim për rreth 150 milionë njerëz”, ka thënë ajo.
Von der Leyen e cila ka kërkuar që vendet e Bashkimit Evropian të angazhoheshin në më shumë tregti të përbashkët nuk ka mohuar as spekulimet që Unioni 27 anëtarësh të afrohet më shumë me Kinën.
“Në parim, nëse kushtet e aksesit në tregje bëhen më të vështira për një partner të madh tregtar siç është Amerika, atëherë ne do të kërkojmë partnerë të rinj tregtarë në mënyrë që t’iu lehtësojmë kompanive tona të tregje të reja”, ka thënë Von Der Leyen.
Pavarësisht te gjitha zhvillimeve gjeopolitike, presidentja e Komisionit Evropian, ka refuzuar të thotë se miqësia ShBA- Evropë është prishur, duke shtuar se për momentin kjo mbetet një marrëdhënie e komplikuar.
Von Der Leyen, ka thënë se Evropa duhet t’i kushtojë më shumë investime mbrojtjes së saj, ndërsa ka shtuar se edhe pse Putini mund të ndalet here pas here, nuk ka kufi për ambiciet e tij perendorake.