Alarmi nga media italiane: Flota spiune ruse pranë Shqipërisë
Mediet italiane lëshojnë alarmin se një anije e spiunazhit të Rusisë ka qëndruar në kanalin e Otrantos, jo shumë larg Shqipërisë, për rreth dy orë.
“La Repubblica” shkruan se bëhet fjalë për “Akademik Pashin”, që lundroi pikërisht në një pikë delikate ku gjenden tubacionet e gazsjellësit TAP.
Kjo linjë konsiderohet me rëndësi të madhe strategjike dhe një zëvendësim i burimeve pas ndërprerjes së gazit rus për Europën. Mediat italiane shkruajnë se anija ruse e spiunazhit kishte ndaluar fillimisht në një linjë nënujore interneti që kalonte nga Bari për në brigjet greke.
Ndërsa tensioni për autoritetet e Romës kishte nisur kur ajo kaloi dhe qëndroi në tubacionin TAP, pasi i druheshin një skenari të ngjashëm ne gazsjellësit Nord Stream, të cilët u dëmtuan me lëndë plasëse.
Vendet e NATO-s i druhen një hakmarrje të Putinit për shkak të sanksioneve, ndërsa nuk përjashtohet edhe mundësia që e gjitha të jetë një luftë psikologjike e Rusisë.
Anija e spiunazhit është 130 metra e gjatë dhe që prej 24 gushtit po lundron në Mesdhe, në ujërat ndërkombëtare.