Alarmohet Gjermania, ISIS kërcënon ‘Euro 2024’ me disa foto rrëqethëse

12 prill 2024 | 14:32

Shërbimet e sigurisë gjermane janë alarmuar për sulme të mundshme terroriste nga ISIS gjatë Kampionatit Evropian te Futbollit, të cilin shteti perëndimor do ta presë këtë verë. Masat e sigurisë janë shtuar në Paris, Madrid dhe në stadiumin e Arsenalit pas kërcënimeve nga ISIS disa ditë më parë për të sulmuar stadiumet ku do të zhvillohen ndeshjet çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Për fat të mirë, ndeshjet u zhvilluan pa u konkretizuar kërcënimet e xhihadistëve, por autoritetet franceze madje mobilizuan njësinë elitare kundër terrorizmit BRI, pas një postimi në median “Al Azaim”, e cila riprodhon mesazhe nga ISIS-K, një krah i Shtetit Islamik. Sipas “Bild”, shkrimi i fundit i “Zërit të Khorasanit”, mediumi propagandistik i ISIS-K, përmban edhe një thirrje për sulme terroriste, e cila sipas zyrtarëve gjermanë të sigurimit, e vendos “Euro 2024” në pikëpyetje.

Shkrimi përfshin gjithashtu një seri fotografish, duke përfshirë një që tregon një terrorist të armatosur në një tren hekurudhor gjerman, me mbishkrimin “Thirra e fundit para daljes”. Në sediljen pranë saj është një kuti me dinamit nën një tabelë që thotë “Mirë se erdhe në Evropë”. Një tjetër foto tregon një dron që fluturon mbi stadiumin “Santiago Bernabeu” të Real Madrid me mbishkrimin “Nëse po ju kufizojnë dhe ju shtypin në tokë, goditini nga qielli. Nëse armiqtë e fesë së Allahut bllokuan rrugën e Hegirës, ata nuk mund të bllokojnë rrugën e luftës”.

Teksti i ISIS vazhdon kërcënimet: “Shtypini të pafetë me makinat tuaja, goditini me thika, helmoni ushqimin e tyre, fryni trurin me plumba dhe vini zjarrin shtëpive të tyre”. Zyrtarët gjermanë të sigurisë besojnë se krahu i ISIS-K ka një rrjet të organizuar prej më shumë se 100 xhihadistësh në Evropën Perëndimore, gjysma e të cilëve janë në Gjermani. “Ky artikull propagandues tregon se ISIS-K dëshiron të kryejë sulme spektakolare me çdo kusht, pavarësisht se si dhe nga kush. Kjo është arsyeja pse të gjithë autorët e mundshëm, duke përfshirë individët e radikalizuar dhe të ashtuquajturit ujqër të vetmuar, tani po thirren për të nisur sulmet”, ka thënë një zyrtar për “Bild”.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar…