Alarmon Emmersoni: Specialja po rrezikon të drejtat kushtetuese të Kadri Veselit
Një protokoll i çuditshëm për kontaktin me dëshmitarë që është miratuar para pak ditësh nga gjyqtari në Gjykatën Speciale ka ngritur shqetësimin serioz të avokatit të Kadri Veselit, Ben Emmerson.
Ky i fundit, në një parashtresë të dërguar para disa ditësh në Gjykatën Speciale, ka ngritur alarmin se rregullativat e vendosura nga gjyqtari me kërkesë të prokurorisë, mund të përbëjnë shkelje të rëndë ndaj të drejtave të Veselit në gjykim.
“Është e qartë dhe e vetëkuptueshme se të gjitha çështjet e propozuara ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatin e procedurës, duke cenuar potencialisht të drejtën e z. Veseli për një gjykim të drejtë siç mbrohet nga Kushtetuta dhe instrumentet përkatëse ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, është thënë në parashtresën e Emmerson.
Për më tepër, Emmersoni ka ilustruar se si me vendimin për kontaktin me dëshmitarë, është thyer edhe parimi bazë për ”barazinë e armëve” në një proces gjyqësor.
Avokati britanik ka theksuar se si Gjykata Speciale i ka dhënë të drejtë prokurorisë në kërkesën e saj që mbrojtjes t’i mohohet liria në zgjedhjen e metodologjisë së kontaktimit dhe intervistimit të dëshmitarëve, ku përshihen takimet jo zyrtare dhe jo të regjistruara. “Nga parashtresat e mbrojtjes është e qartë se e drejta për barazinë e armëve do të cenohej duke i mohuar mbrojtjes të njëjtën ‘liri në zgjedhjen e metodologjisë së kontaktimit dhe intervistimit të dëshmitarëve, e cila përfshinte takime jozyrtare dhe jo të regjistruara’. Më tej, në vend që të tregohej çdo ‘shqetësim hipotetik’, mbrojtja iu referua rasteve specifike dhe objektive të cilat do t’i siguronin SPO-së një avantazh taktik të padrejtë”, është thënë në këtë parashtresë.
Emmersoni ka specifikuar se me vendimin e marrë nga gjyqtari paraprak, prokuroria do të jetë e informuar për çdo hap të fshehtë të avokatëve, përfshirë atë se cilët dëshmitarë i ka mbrojtja në prioritet, si dhe do t’i jepej njohuri prokurorisë për besueshmërinë e dëshmitarëve dhe linjat e mundshme të marrjes në pyetje shumë përpara gjykimit.
Kujtojmë se prokuroria kishte kërkuar që të ketë qasje në secilën intervistë, të dëshmitarëve, teksa Gjykata e kishte pranuar të njëjtën.
Gjithsesi, gjykatësi kishte vendosur si kusht që Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) t’i drejtohet trupit gjykues me kërkesë për të marrë pjesë në ato intervista.
Edhe pse në parashtrime përmendet “pala thirrëse” dhe “pala kundërshtare”, te çështja e intervistimit të dëshmitarëve kjo vlen më së shumti për mbrojtjen. Kjo meqë, prokuroria veç se ka përfunduar pjesën më të madhe të intervistave me dëshmitarët.