Alban Zogaj zgjedhet kryetar i degës së tretë të LDK-së në Prishtinë
Të enjten në mbrëmje është mbajtur Kuvendi i Dhjetë Zgjedhor i Degës III të LDK-së në Prishtinë, e cila njihet si ‘Dega e presidentit Rugova’.
Njëqind e një delegatët e këtij Kuvendi zgjodhën dr. Alban Zogaj për kryetar me mandat katërvjeçar.
“Kryetarin e deritanishëm z. Hazir Borovci e falënderova për udhëheqjen 8-vjeçare të degës. Kalimi i përgjegjësive tek ekipi i ri bëhet pas përmbylljes me plot sukses të udhëheqjes e fitores në kryeqytet”, ka bërë me dije kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku ka thënë se zgjedhjet në LDK janë festë. “Po i afrohemi ngadalë fundit të procesit zgjedhor, me rreth 35 mijë pjesëmarrës. Si rrallëherë më parë, ky proces përveç se manifestim i demokracisë, u shndërrua edhe në mobilizim të anëtarësisë e qytetarisë aktive”, ka thënë Abdixhiku.