‘Albania Lion 2018’ mbledh 1 200 ushtarakë nga katër shtete, pjesë e stërvitjes edhe FSK-ja
1 200 ushtarakë shqiptarë dhe të ardhur nga Britania e Madhe, Kroacia e Kosova ushtruan dje në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, një demonstrim të përgatitjes fizike, por edhe të mjeteve ushtarake, në kuadër të stërvitjes “Albanian Lion 2018”.
Një nga risitë e kësaj stërvitjeje të përbashkët është se për herë të parë u bë pjesë edhe Forca për Sigurinë e Kosovës (FSK).
Në ceremoninë e zhvilluar, ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka folur për rëndësinë e kësaj stërvitjeje.
“Zhvillimi i kësaj stërvitjeje është demonstrim i vullnetit të përbashkët të vendeve tona për të bashkërenduar përpjekjet e për të rritur shkallën e profesionalizmit, aftësive ndërvepruese dhe kohezionit ndërmjet Forcave tona të Armatosura, për përballimin e sfidave të përbashkëta dhe rritjen e sigurisë dhe të cilësisë së jetës së qytetarëve tanë”, u shpreh Xhaçka.
Ministrja Xhaçka u shpreh se Shqipëria mbetet vend me kontribute të qenësishme në NATO.
/Epoka e re/