Albanofobia në Greqi – ‘Shpatë Demokleu’ në marrëdhëniet shqiptaro-greke
(Fragment nga libri i autorit ‘Ballkani-Diplomacia e munguar’)
Prof. Lisen BASHKURTI
Greqia është një nga fqinjët e Shqipërisë, ku albanofobia është problem shqetësues. Përcaktimi mbi albanofobinë është përdorur për herë të parë në botime shkencore nga studiuesi i shquar shqiptar, Arshi Pipa në vitin 1982, në “The South Slav Journal”. (1) Ndër studiesit e huaj edhe Ana Triandafillidhu nga Greqia i është referuar gjithashtu definicionit albanofobi në studimet e tyre në vitet 2002 në raportin analitik “Racizmi dhe Diversiteti Kulturor në Mass Media” (2)
Albanofobia është një ndjenjë antishqiptare me rrënjë historike të hershme në Greqi. Në revolucionin Grek për pavarësi shqiptarët, të njohur si arvanitas dhanë kontributin kryesor. Shumica e studiuesve të Revolucionit Grek thonë së arvanitasit i hoqën frikën grekëve, bënë luftë të jashtëzakonshme anti-osmane dhe derdhën gjakun lum për shtetin e pavarur Grek. Ndonëse arvanitasit u dhanë grekëve lirinë, grekët e shndërruan mirënjohjen në fobi ndaj tyre.
Mbas Revolucionit Grek u duk se u ringjallën fobi qysh nga antikiteti. Kështu mbas konsolidimit të shtetit të tyre, Grekët iu drejtuan shumë shpejtë arvanitasve në Greqinë e Veriut. Target i luftës albanofobe u bë Epiri. Grekët bënë të gjitha përpjekjet për të shkatërruar fortesat e Jugut të Shqipërisë, që quhej Epir. Në vitin 1854 gjenerali Grivas kaloi kufijtë grekë, i shoqëruar nga një bandë të madhe të rekrutuar në Greqi, duke bërë krime monstruoze me qëllimin e vetëm për t’i detyruar të krishterët shqiptarë të bashkoheshin me to. Këto tentativa banditeske u përsëritën sërish në vitin 1866, por të gjitha dështuan. Asnjë çast qeveritë greke të mbas revolucionit nuk kanë reshtur për të pushtuar Epirin dhe për të greqizuar popullin shqiptar. Kulmim kjo strategji e arriti mbas Krizës Lindore dhe Traktatit të Shën Stefanit (1878) si dhe gjatë e mbas Kongresit të Berlinit (1878). Në ofensivën antishqiptare deri në një farë periudhe qeveritë greke përdornin banditë të organizuar, duke i mbajtur me shpenzimet e tyre përkundër Epirit. Kur betejat e fragmentuara u thyen nga arvanitasit trima, qeveria greke organizoi në trevat e Epirit dhe të Thesalisë të banuara me shqiptarë, myslimanë e të krishterë, disa komitete revolucionare që u shpërndanin banorëve grekë armë dhe i përfshinin ato në veprimet e bandave të tyre të financuara dhe armatosura nga qeveria greke, që tanimë drejtoheshin nga ushtarakë profesionistë të lartë grekë.
Por sikundër shkruhet në Memorandumin e Lidhjes Shqiptare të drejtuar Fuqive firmëtare të Traktatit të Berlinit në vitin 1878… “…në vitin 1878, gjatë ngjarjes së Lëkursit (Kala në Sarandën e sotme, shënim i autorit L. B), ndodhi ky fakt tepër kuptimplotë, të krishterët e Epirit, ishin të parët që prapsën agresorët me armë në dorë… (3)-(4).
Qeveria greke, duke parë edhe këtë herë pafuqinë e saj për të tronditur besnikërinë dhe devotshmërinë e banorëve, filloi që atëherë të zbatojë një taktikë tjetër… ajo përpiqet t’ia arrijë qëllimit me rrugë diplomatike”. Mbas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, Greqia iu përvesh përpjekjeve të saj për realizimin e doktrinës së Venizellosit, “Vorio-Epiri”. Kjo doktrinë paraqiste strategjinë Ballkanike Greke, e cila kishte pikërisht në fokus pretendimet territoriale kundër shqiptarëve. Venizellosi përdori disa rrugë: së pari, spastrimet etnike të dhunshme kundër shqiptarëve autoktonë në Greqi; së dyti, shkëmbimet e shqiptarëve myslimanë nën epitetimin “osmanë” me greko-ortodoksë nga Perandoria Osmane. Këto ardhacakë helenë vendoseshin në trojet dhe pasuritë e shqiptarëve myslimanë, të cilët përziheshin forcërisht nga qeveria Greke.
Në mënyrë të sofistikuar, qeveria greke përfitoi nga dobësimi i Perandorisë Osmane dhe u dakordua me të për këto shkëmbime popullsie kundër shqiptarëve autoktonë në Greqinë e Veriut. Një valë e dytë e fuqishme antishqiptare shpërtheu gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishte periudha kur kapitulloi Italia fashiste (shtator 1943) dhe në rajonet e ish pushtuara të saj u futën trupat ushtarake naziste gjermane. Nazizmi, ashtu sikundër edhe fashizmi lançuan kudo idenë e shteteve të pastra etnike, pra shtrirjen e kufijve politikë deri ku shtriheshin pakicat etnike. Me këtë taktike, fashistët dhe nazistët dëshironin që t’i kundërviheshin Versajës me vendimet e saj dhe të inkurajonin forcat nacionaliste të pakënaqura kudo në Evropë. Shqiptarët ishin të pakënaqur me zgjidhjet e Versajës.
Projekti i Shqipërisë londineze që u vulos në Versajë kishte qenë shumë tragjik për popullin shqiptar dhe territoret e tij. Nazizmi donte të shfrytëzonte këtë pakënaqësi. Mjaft nacionalistë shqiptarë të ndershëm dhe patriotë u joshën nga kjo politikë naziste. Por, në tërësi, populli shqiptar dhe përfaqësuesit e tij kryesor gjatë Luftës së Dytë Botëror iu kundërvunë me armë fashizmit dhe nazizmit. Shqiptarët kudo në Ballkan u renditën si antifashistë. Edhe në Greqi shqiptarët u inkuadruan në forcat antifashiste. Vetëm një grup shumë i vogël dhe i papërfillshëm nacionalistësh mbështetën nazistët në Greqi. Dukuria e kolaboracionizmit preku tërë Evropën, nga Franca e Vishisë deri te Horthi i Hungarisë, nga panët Polakë e deri te nazistët Kroatë. Por, këto raste nuk njësuan si kolaboratorë mbarë popujt e Evropës. Mirëpo në Greqi, qeveria Greke ngarkoi gjeneralin Zerva me trupa speciale në Krahinën shqiptare të Çamërisë me qëllim që nën epitetimin e tyre nazistë të realizonin masakrën dhe spastrimin etnik të shqiptarëve nga krahina për në Shqipëri.
Në një farë periudhe Zerva pati mirëkuptimin edhe të misioneve diplomatike Britanike. Por, kur Zerva kaloi masën e qëndrimeve të tij tërësisht raciste, kriminale dhe gjenocideske, misioni diplomatik Britanik kërkoi ndalimin e këtyre veprimeve. Por, atëherë ishte shumë pak dhe shumë vonë. Tragjedia mbi Çamërinë dhe popullsinë e saj u realizua. Kjo ngjarje tragjike u shoqërua me një albanofobi të skajshme greke. Pikërisht nën këtë antishqiptarizëm mbas Luftës së Dytë Botërore, Greqia ndërmori provokacione ushtarake kundër Shtetit Shqiptar në Juglindje (1949).
Këto veprime në terrenin konkret Greqia i shtriu edhe në qarqet diplomatike ndërkombëtare deri në Kombet e Bashkuara. Shqipëria dhe shqiptarët e paguan shumë shtrenjtë dhe shumë gjatë albanofobinë greke gjatë tërë Luftës së Ftohtë. Tentativat diplomatike greke kanë vijuar deri në kohët moderne, me të njëjtin qëllim që të shtrinin hapësirat territoriale dhe detare, në thellësi të Ngushticës së Korfuzit, pranë brigjeve shqiptare të Sarandës. Kjo tentativë u duk edhe në “Marrëveshjen për Kufirin Detar midis Shqipërisë dhe Greqisë”, (5) që u firmos në Athinë midis dy qeverive në pranverën e vitit 2009, por që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.
Pretendimet greke, diplomatikisht kanë vijuar të mbeten konstante edhe në kohët tona, por tanimë nëpërmjet zërave të tyre apo organizatave greke brenda Shqipërisë, me qëllim që në aparencën e marrëdhënieve politiko-diplomatike formale të ketë një “normalitet” ndërkombëtarisht dhe europianisht të pranuar. Mirëpo, përmes këtyre faktorëve grekë ose të greqizuar apo emigrantë është pretenduar në mënyra të papranueshme shtrirja në territoret shqiptare dhe dalja në brigjet e Himarës, manipulimit korruptiv të regjistrimit të popullsisë shqiptare, me qëllim kryesor që ortodoksët shqiptarë, vllahët shqiptarë dhe të tjerë emigrantë mjeranë ekonomikisht të regjistroheshin si minoritarë grek, dukë ndryshuar kështu artificialisht sasinë dhe shtrirjen gjeografike të pakicave greke në Shqipëri. Edhe këto tentativa deri në kohët tona kanë dështuar. Kjo nuk do të thotë se nuk do shpiken rrugë dhe forma të tjera për cungimin e shtrirjes detare të Shqipërisë dhe për të kaptuar territore të saj në Jug. Por, ne nuk paragjykojmë në studimet tona.
Natyrisht nuk kanë munguar edhe zërat më realistë të zyrtarëve në Greqi që hedhin poshtë doktrinën e Vorio-Epirit. Kështu, Kryetari i Bashkisë së Selanikut i vitit 2011 në një intervistë të dhënë në Prill 2011 thekson se “Nuk ekziston çështje e Epirit të Veriut, por Shqipëri e Jugut”. Një gamë stereotipesh të reja albanofobie u krijuan në shoqërinë greke mbas viteve ’90-të. Ishte koha e valës së emigrantëve shqiptarë që shkuan në Greqi pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Padyshim ishte prezantimi i parë masiv i shqiptarëve në vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian. Kjo valë njerëzish karakterizohej nga varfëria e skajshme, nga kultura e mbyllur, nga mentaliteti i izolimit, nga dëshpërimi i thellë dhe pritshmëritë konfuze. Ishte një masë qindramijëshe e ngarkuar me shpresa dhe iluzione nga më të ndryshmet. Tërësisht e papërgatitur për t’u përballur me një realitet krejtësisht të ndryshëm nga ai që kishin lënë pas në Atdheun e tyre. Por, edhe shoqëria greke ishte e papërgatitur për këtë fluks të jashtëzakonshëm emigrantësh. Të dy palët, shoqëria shqiptare dhe shoqëria greke po përballeshin për herë të parë drejtpërdrejtë dhe në mënyrë shumë masive. Po ballafaqoheshin historitë, kulturat, gjuhët, traditat, mentalitetet, përvojat, nivelet ekonomike, arsimore dhe kulturore. Me fjalë të tjera po ballafaqoheshin dy botë që kishin lindur së bashku mijëra vite më parë, por që kishin jetuar të ndara për më shumë se 100 vjet. Ballafaqime të tilla janë tronditëse. Asnjë shoqëri, sado e zhvilluar dhe tolerante nuk do të mund të adoptohej me përballje të tilla për një kohë të caktuar. E aq më shumë, që shoqëria greke, e përmasave pak a shumë sa ajo shqiptare në plan Ballkanik dhe që kishte kapacitete obserbuese relativisht të kufizuara. Pra, mund të thuhet se vendi me kapacitetet më të kufizuara obserbuese i BE u përball me valën më të madhe të emigrantëve nga shqiptarët në vitet ’90-të. Kjo asimetri e rëndë dhe befasuese do linte gjurmë në krijimin e disa stereotipeve albanofobe në shoqërinë greke. Përgjithësisht në fazën e parë u krijuan stereotipe shumë negative për shqiptarët në Greqi. Në opinionin publik, politik dhe në atë mediatik dominuan stereotipe, në të cilat shqiptarët identifikoheshin si kriminelë dhe të degjeneruar, si njerëz pa dije e kulturë, që nuk respektonin ligjet dhe normat shoqërore dhe që ndiqnin rrugët e vjedhjeve, plaçkitjeve dhe punëve të pista për t’u pasuruar. Kjo situatë e rëndë u bë objekt studimi dhe analize nga organizmat euro-atlantik, si OSBE, konkretisht “Federata Ndërkombëtare e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut” (FNHDNJ)(6) si dhe nga “Qendra Evropiane e Monitorimit mbi Racizmin dhe Ksenofobinë”(7). Këto dy qendra ndërkombëtare kanë vijuar të përcjellin situatën e albanofobisë, pra të antishqiptarizmit në Greqi. Sipas tyre, keqtrajtimi i shqiptarëve në Greqi vazhdon edhe në kohët tona, pra mbas kaq vite adoptimi dhe natyralizimi të tyre në shoqërinë greke. Në përputhje me FNHDNJ shqiptarët janë grupi etnik emigrues, që më së shumti vritet në Greqi për shkak të ligjeve greke në fuqi (8).
Përveç këtij konkluzioni, EUMC arrin në përfundimin se sidomos personat individualë, pra pa familje tek shqiptarët etnik emigrues në Greqi janë target i goditjeve raciste. Dhe sidomos, emigrantët shqiptar pa dokumente përballen…”…”me një eksperiencë diskriminimi serioz në papunësi, në mënyrë të veçantë në nivelin e pagesave dhe të kontributeve në sigurimet shoqërore” (9).
Një rol shumë negativ për damkosjen e shqiptarëve dhe prodhimin e albanofobisë ka luajtur media greke. Mediat greke i kanë paraqitur në një masë të gjerë dhe për një kohë të gjatë shqiptarët dhe kriminalitetin e tyre si pjesë e mafies. Në këtë stereotip tanimë të ngulitur fort thellë në shoqërinë greke, media e këtij vendi mban përgjegjësinë kryesore, në kontrast përherë e më të thellë me opinionin publik në shoqërinë greke, i cili po bëhet përherë e më relaksues ndaj shqiptarëve, duke dëshmuar që nuk vuan as nga ksenofobitë dhe as nga racizmi (10).
Krahas medias, ndikim negativ për provokimin e albanofobisë dhe të mbajtjes gjallë të saj kanë luajtur edhe disa institucione shtetërore. Kështu, për shembull gjatë një parade ushtarake zyrtare të mbajtur në Athinë, ushtarët e reparteve ushtarake shtetërore këndonin këngën…”Ata janë shkupjanë, ata janë shqiptarë, me lëkurët e tyre do bëjmë lidhëza këpucësh”.
Akoma më e rëndë është situata e trajtimit të shqiptarëve të dënuar në burgjet e Greqisë. Ngjarje të rënda, të përsëritura dhe të njohura publikisht dhe ndërkombëtarisht kanë bërë xhiron e botës në median elektronike, përmes të cilave shikohet një keqtrajtim i veçantë kundrejt të burgosurve shqiptarë, i cili arrin deri në eliminime fizike përmes torturës. Këto probleme u bënë objekt bisedimesh midis Avokatit të Popullit të Republikës së Shqipërisë, Igli Totozani dhe Avokatit të Popullit të Greqisë në bisedimet dypalëshe në korrik të vitit 2014 (11). Pala greke shkel në mënyrë diskriminuese parimet dhe normat që ka vënë Këshilli i Evropës për burgjet dhe të burgosurit në to. Për një kohë të gjatë, arsye e diskriminimit ishin edhe toponimet në pasaportat e shqiptarëve si dhe diskriminimi publik i shqiptarëve nga Çamëria, duke përfshirë edhe gazetarin e mirënjohur shqiptar, Marin Mema.
Nuk është pa përgjegjësi edhe shteti shqiptar gjatë tranzicionit, i cili është treguar i mefshtë, i paaftë dhe i pavullnetshëm për të mbrojtur në rrugë bilaterale, por edhe multilaterale të drejtat e shqiptarëve emigrantë, të lirë dhe të burgosur në Greqi. Problemet e eliminimit, të diskriminimit në punë, në paga, në sigurimet shoqërore dhe në shumë aspekte të tjera arsimore dhe kulturore për një kohë të gjatë nuk janë vënë në tryezat dhe as në dosjet diplomatike të shtetit shqiptar. Ndërkohë, media shqiptare dhe opinioni publik shqiptar kanë qenë mjaft aktiv dhe reagues ndaj shfaqjeve të albanofobisë në shtetin dhe shoqërinë greke. Ndonëse situata e albanofobisë nuk është si në vitet ’90 dhe dekadën e parë pasuese, sërish stereotipet e albanofobisë në shtetin dhe shoqërinë greke vijojnë të jenë të pranishme dhe dëmtuese në ndërtimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të qëndrueshëm midis dy vendeve dhe popujve fqinj, shqiptarëve dhe grekëve. Ndonëse muret politike midis dy vendeve kanë rënë, muret e fobive ngelen akoma të jenë barriera të përmirësimit të marrëdhënieve midis tyre.
Referencat:
1. A. Pipa: “The South Slav journal”, Volume 8, 1982.
2. Anna Triandafyllidou: “Racism and Cultural Diversity In the Mass Media”, Robert Schuman Centre, European University Institute.
3. Memorandum i Lidhjes Shqiptare drejtuar Fuqive nënshkruese të Traktatit të Berlinit, Paris Berlin, Vjenë, 3,19,29 Maj 1879
4. “Marrëveshja për Përcaktimin e Kufirit Detarë midis Shqipërisë e Greqisë”. Kjo Marrëveshje u firmos pas negociatave diplomatike midis dy palëve të Ministrive të Punëve të Jashtme në prani të dy Kryeministrave të të dy vendeve në pranverë 2009. Kjo marrëveshje ishte sukses i diplomacisë Greke dhe dështim i diplomacisë shqiptare. Parlamenti shqiptar, i vënë nën presion të madh të ekspertëve të ndryshëm shqiptarë dhe të opinionit publik nuk e kaloi për ratifikim atë, por ia paraqiti Gjykatës Kushtetuese. Kështu, çështja shkoi në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, e cila e quajti këtë Marrëveshje antikushtetuese dhe për rrjedhojë e hodhi poshtë atë
5. EUMC, Nov. 2001, 25, 38 n. 85
6. EUMC, May. 2002, 153
7. EUMC, Nov. 2001, 25, 38 n. 85
8. EUMC: “Diversity and equality for Europe Annual Report 2000”. European Monitoring Centre of Racism and Xenophobia.
9. EUMC: Ibiden Nov.2001
10.EUMC: Ibiden, Nov. 2001
11. Balkanweb.com: “Totozani takon homologun grek: trajtoni me përparësi të drejtat e të burgosurve shqiptar”, Tiranë, e Martë, 15 Korrik 2014