“Albatrosi” dhe “Vdekja e Nositit”, poezitë që shprehin të njëjtin kumt
Albert Mustafa
Lasgush Poradeci e vlerësonte shumë Bodlerin si poet, prandaj vepra e tij i shërbeu për formësim letrar. Të dy poetët qenë në ballë të letërsisë moderne në vendet e tyre dhe veprat e tyre u vlerësuan jashtëzakonisht mirë nga kritikët.
ALBATROSI
Marinarët n’anije shpesh her’ sa për shaka
Gjuajnë albatrosë, shpeza shumë të mëdha,
Bashkudhtarë të plogësht që fluturojnë mbi det
Mbi anije që sipër gremin’ve t’njelmta shket.
Posa t’i vendosin në dërrasa, të mundur,
Këta mbretër t’kaltrisë, të ngathtë e t’përunjur
Të ndjellin mëshirë me ata krahë mbyrthyer.
Të mëdhenj e të bardhë sikur rrema të thyer.
Ky udhëtar krahgjatë sa është i pagjallëri!
I bukur ka qenë, tani gaz i botës, shëmti
Njëri ia ngacmon sqepin, për t’qeshur me çibuk
Tjetri e imiton, e tall, e përqesh, e ç’nuk!
Poeti i ngjan ktij princi të madh të reve,
S’e tremb dot stuhia as qitësi i shpezëve;
Syrgjynosur në tokë, n’bisht të shpotisë ngeci
Krahët e tij viganë e pengojnë të ecin.
Albatrosi është zog shtegtar i cili e minimizon konsumin e energjisë, duke përdorur teknika të veçanta fluturimi. Albatrosi e ka këtë veti pozitive. Ky zog shumicën e jetës së tij e kalon në bregdet, hapja e krahëve të tij është 3.5 metra. Karakteristikë kryesore e albatrosit është stili i tij i fluturimit. Ai mund të fluturojë me mijëra kilometra pa i rrahur krahët, duke kursyer këtu energjinë. Ai vendos krahët në pozicion të përshtatshëm.
Albatrosi është ndër poezitë më të bukura të Bodlerit. Është pjesë e veprës poetike “Lulet e së keqes”, në të cilën vihet një paralele midis albatrosit, siç e quan poeti, mbretit të kaltërsisë apo princit të reve, dhe poetit. Poeti e krahason veten me këtë shpend me dhunti të veçanta. Bodleri është poet i cili e sheh botën më ndryshe se të tjerët, ka veti të veçanta, njeri i dalluar, që poezitë e tij kanë letraritet të lartë. Këtu bëhet transformimi në personazhin albatros. Albatrosi është shpend i bukur të cilin marinarët e ngacmojnë gjatë lundrimit të tyre: Marinarët n’anije shpesh her’ sa për shaka / Gjuajnë albatrosë, shpeza shumë të mëdha, zogu i bardhë me krahë të gjatë fluturon mbi marinarë me krahë të plogësht.
Bukuria e albatrosit është e rrallë, marinarët e ngacmojnë duke lozur me të, duke e përulur atë, duke luajtur me të si me një leckë: I bukur ka qenë, tani gaz i botës, shëmti / Njëri ia ngacmon sqepin, për t’qeshur me çibuk / Tjetri e imiton, e tall, e përqesh, e ç’nuk! Marinarët ia prekin me çibuk sqepin duke lozur me të dhe duke e imituar.
Albatrosi këtu simbolizon vetë poetin, ndjenjat, ndjesitë dhe krijimet e të cilit shpesh nuk kuptohen sa duhet nga lexuesit dhe kritikët e ndryshëm. Madje, shpesh nga ky moskuptim vepra e tij, nga studiuesit dhe kritikët, cilësohet si vepra më pak litraritet. Nisur nga biografia e Bodlerit, duket sikur ai me albatrosin simbolizon vetveten në raport me njerëzit e rrethit të tij. Poezia paraqet vetën e dytë të autorit (Bodler). Vepra e tij krijoi tërheqje, emocion, popullaritet te lexuesit anembanë botës.
Poeti i ngjan këtij princi të madh të reve, / S’e tremb dot stuhia as qitësi i shpezëve; / Syrgjynosur në tokë, n’bisht të shpotisë ngeci / Krahët e tij viganë e pengojnë të ecin.
Në strofën e katërt paraqitet vendosmëria e poetit për të qëndruar stoikisht prapa idesë, rrugës së drejtë që përçon te lexuesit. Duke thënë se në tokë është i përndjekur, refugjat, e qielli (universi) është fusha e tij e zotërimit. Me këtë rast simbolizon mendjen e ndritur të poetit.
Vdekja e Nositit
Sikurse Albatrosi i Bodlerit që është poezia simbolike më e njohur e poetit, Vdekja e Nositi është poezia simbolike më e njohur e Lasgush Poradecit. Nositi me të cilin poeti identifikon vetveten, është zogu i veçantë i liqenit. Dhimbja e tij prodhon trashëgiminë, idealin, pra poezinë, ndaj ajo përballohet me “gas”. Ky ideal është ushqim shpirtëror për brezat e ardhshëm. Poezia Vdekja e Nositit është shkalla më e lartë e sakrificës njerëzore, vdekja për të rilindur, një vdekje gjithsesi e ëmbël e shpresëdhënëse.”[1] Vdekja e Nositit është vjershë e cila bën pjesë në pjesën Vallja e vdekjes / Zemra e vdekjes.
Vdekja e Nositit
Me zjarr ju flas…, me zjarr. Ahere- helmhet e buçet
Në gjirin tim kam hapur varr… Pas mallit t’im liqeri-i shkret,
Që t’i jap shpresë-edhe t’j-a mar… E rit tallazin posi det.
Un’ ik liqerit zemërak Ay e tund, ay e shkund,
Fatlum dh’i pastër si zëmbak, Ay e hap sa me të mund,
Po zemra ime kullon gjak: Gjer mun në gjit, gjer mun në fund.
Se vijnë-urtur zogjtë-e mi, E shpirtin dyke ma përcjellë,
Dh’u jep ushqim me dashuri- Më thotë ah! Shih sesá ‘sht’i fellë
Një dashuri për llaftari: Ky gjir’i em që të pat pjellë…
Pa nis ah! Gjirin t’a godas… …Me zjarr ju flas, me zjarr.
Dh’e hap ah!- gjirin me një ças…,
Dh’i nginj ah! Zogjtë-e vdes me gas!…
Poezia Vdekja e Nositit në fillim e në fund mbart ligjërimin subjektiv të autorit, që del në trajtën e dashurisë për llaftari: Me zjarr ju flas…, me zjarr.”[2]
Ky është diskursi i Nositit për vetëflijim. Tematika e dramës së tij zhvillohet në liqen, vend ku poeti shtron temat më delikate të mendimit e të ndjenjës së tij poetike. Ana formale e poezisë përbëhet nga shtatë strofa, tercina. Poezia përbëhet nga nëntë rrokshi, i cili në letërsinë popullore është më pak i përdorshëm. Poezia ka rimë A-A-A.
Poezia fillon dhe mbaron me të njëjtin varg Me zjarr ju flas…, me zjarr. Nositi është zog i bardhë i liqenit që me sqepin e vet shqyen gushën dhe me gjak i ushqen zogjtë e vet. “Kjo poezi është e shkruar në vetën e parë, si monolog, ku subjektivitetit i poetit është transponuar, drejtpërdrejt në materien e vet, në tekst; nuk ka ndërhyrje indirekte përshkruese, në fillim dhe në mbarim siç ndodh në dy vjershat e tjera…”[3]
Strofa e parë fillon me vetërrëfimin e Nositit (Poetit), me fjalët zjarr, varr. “Pra strofa e parë krijon atmosferën e dhembjes e të flijimit që shprehet me rimat –arr që shënjojnë dhembje e lëvizje si dhe me kuptimet semantike në radhë të parë dhe konotacionet në radhë të dytë të fjalëve: zjarr; varr.”[4] Vazhdon strofa e dytë me rimën –ak me një a maksimalisht të hapur dhe me një k maksimalisht të mbyllur, që shpreh dhembjen e thellë, po njëkohësisht duke treguar anenë pamore të tij, anën shpirtërore, bardhësinë shpirtërore, por me zemër të thyer, e cila kullon gjak, vetëflijimi i tij për të ushqyer të vegjlit e tij.
Në strofën e katërt paraqitet klithma ah! Pasthirrma paraqitet në tri vargjet e strofës së katërt, ligjërimi paraqet ushqyerjen e zogjve, trashëgimtarëve, me një lehtësi të madhe, duke e përcjellë në ecuri buzëqeshja dhe gazi. “Vargu i fundit i kësaj strofe është vargu qendror i vjershës dhe moto e vdekjes së ëmbël për një ideal. Studiuesi i mirënjohur Agim Vinca, në veprën “Kënga e hapur”, shkruan se Poradeci ndjek në mënyrë permanente rrugën dhe përvojën e simbolistëve, duke bërë që edhe poezia Vdekja e Nositit bashkë me poezitë Gjeniu i anijes, Lundra dhe flamuri krijojnë triptikun poetik me temë simboliste.
“Lasgush Poradeci është ndoshta i vetmi poet shqiptar që ka ndjekur në mënyrë të vetëdijshme e konsekuente përvojën krijuese të simbolistëve.”[5] Në poezinë Vdekja e Nositit, poeti identifikohet me Nositin, me bëmat e tij për t’i mbajtur gjallë trashëgimtarët.
Albatrosi dhe Nositi alter ego e poetëve
Bodleri dhe Lasgushi janë poetë, poetë të cilët i takojnë të njëjtës rrymë letrare, të dy janë modernistë, gjegjësisht simbolistë. Lasgushi e kishte si udhërrëfyes Bodlerin, e kishte idol shpirtëror, e vlerësonte veprën e Bodlerit. Vepra më e njohur e Bodlerit është “Lulet e së keqes”, ndërsa Poradeci njihet me dy veprat poetike “Vallja e yjeve”, 1933 dhe “Ylli i zemrës”, 1937.
Ngjashmëritë e poezive
Dy poezitë kanë si titull nga një zog, të bukur, të bardhë, të pastër shpirtërisht. Albatrosi zog i cili jeton në liqen, shumicën e kohës e kalon në liqen, aty jeton, aty ushqehet. Nositi, i cili jeton në liqen, shumicën e kohës e kalon në liqen, aty jeton, aty ushqehet.
Të dy poezitë simbolizojnë poetët, prapa tyre fshihen vetë poetët. Bodleri e identifikon vetën me Albatrosin, me vetitë e tij, duke qenë që Albatrosi ka veti të larta, të konsumimit të energjisë, ruajtjes së saj, që si pikë të fortë ka krahët. Gjatë fluturimit Albatrosi krahët i mban të hapur dhe kështu kursen shumë energji që ka në trupin e tij.
Poezia më e fuqishme e Poradecit, Vdekja e Nositit, që në titull na tregon për vdekjen e zogut Nosit, i cili gjatë jetës së tij flijohet për t’i ushqyer të vegjlit e tij, dashuri për llaftari. Poeti e identifikon veten me Nositin, zogun e bardhë të liqenit që dallohet nga zogjtë e tjerë, sikurse që Poradeci dallohet nga shkrimtarët e tjerë me litraritetin e dalluar.
Ana formale e poezisë Albatros përbëhet nga katër strofa, me rimë AA BB. Strofat janë katrena.
Ana formale e poezisë Vdeja e Nositit përbëhet nga shtatë strofa dhe një varg në fund, i cili është i ngjashëm me vargun e parë të poezisë. Përbëhet nga 22 vargje. Rima është e puthur, strofat janë tercina. Për cilësinë e poetit, litraritetin e tij, po e citoj profesorin, albanologun e nderuar Eqrem Çabej: “Êshtë vjershëtori më i thellë që ka shkruar në shqipet; në qoftë se kjo nuk është vënë re gjërë tani, shkaku është se më të shuntët nuk e kuptojnë poezinë e tij…[6] Nositi edhe pse vdes, vdekja e tij është me gas, letësuese, sepse ushqen trashëgimtarët e tij me gjakun e vet”.
Albatrosi, antipod i Nositit
Nositi është zog i cili vetëflijohet për të ushqyer të vegjlit e tij. Vdekja është e ëmbël për të. Nositi ka bërë shkallën më të lartë të sakrificës, shpimin e vetës për t’i mbajtur gjallë zëvendësuesit. Albatrosi shumë herë bëhet lojë për udhëtarët, objekt loje dhe argëtimi. Albatrosi nuk vetëflijohet për t’i ushqyer të vegjlit. Ndoshta edhe nuk ka pasur nevojë.
Poezitë kanë dallim edhe në anën formale, domethënë në strukturë të ndërtimit. Njëra përbëhet nga katër strofa, me strofë katërshe, kurse Vdekja e Nositit përbëhet nga shtatë strofa e një varg, me strofë treshe. Vdekja e Nositit është poezi filozofike, kemi një cikël të zhvillimit shpirtëror: lindja-trashëgimia, flijimi-vdekja.
Udhëtarët dëfrehen me zogjtë albatros. Është objekt i lojës dhe haresë së udhëtarëve, kalimtarëve që kalojnë nëpër det, kurse Nositi është zog krenar me vetveten, por që e ka mision flijimin e tyre që t’i rrisin trashëgimtarët.
Poezia Albatros karakterizohet nga dymbëdhjetërrokëshi, ndërsa Vdekja e Nositit ka përdorim të tetërrokëshit. Karakteristikë tjetër që dallon këto poezi është edhe përdorimi i fjalëve dyshe, por edhe fjalë që janë të lidhura me viza lidhëse, Pas mallit t’im liqeri-i shkret. Kurse te poezia Albatrosi nuk kemi të njëjtën gjë. Përdorimi i fjalëve me viza lidhëse nuk ekziston, së paku jo në veprën e Sharl Bodlerit Lulet e së keqes të përkthyer nga Mensur Raifi.
Dihet se Poradeci e kishte Bodlerin udhërrëfyes të rrugës së tij letrare. Poradeci e vlerësonte lart litraritetin e veprës së Bodlerit, kishte njohuri të mëdha për veprën e tij. Por mendoj se dallimi më i madh i këtyre dy poezive është se Albatrosi nuk flijohet, nuk reziston për gjestet që i bëjnë udhëtarët, kurse Nositi vdes me gaz për trashëgimtarët. Profesor Osman Gashi në veprën e tij “Studime interliterare” shkruan: “Tek Bodleri s’ka sakrificë, dëshirë për vetëflijim.”[7]
Te këto dy poezi fshihen vetë shkrimtarët e tyre, duke paraqitur veten e tyre, në kohët e tyre.
[1] Osman Gashi, “Studime interliterare”, f. 217
[2] Sabri Hamiti, “Letërsia moderne shqipe 12”, f. 154
[3] Lasgush Poradeci, “Vdekja e Nositit”, f. 26
[4] Po aty, f. 26
[5] Agim Vinca, “Kënga e hapur”, f. 46
[6] Isak Shema, “Studime letrare”, f. 102
[7] Osman Gashi, “Studime interliterare”, f. 219