Albena Reshitaj nga Suhareka kërkon të rritet numri i testimeve për koronavirus

17 prill 2020 | 13:17

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe kryetarja e Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, Albena Reshitaj, ka vizituar sot Komunën e Suharekës, ku është pritur nga kryetari Bali Muharremaj.

Reshitaj e Muharremaj kanë diskutuar për gjendjen në këtë komunë pas rritjes së numrit të të infektuar me virusin COVID-19, si dhe viktimës së parë të shënuar.

Duke falënderuar autoritetet komunale për punën e bërë, Reshitaj ka njoftuar përmes një statusi në llogarinë e vet në “Facebook” se ka takuar edhe zyrtarë të tjerë komunalë, duke thënë se vullneti dhe përkushtimi i tyre është shpresë për qytetarin.

Reshitaj ka thënë se institucionet qendrore, përveç konferencave për shtyp, duhet të rrisin edhe numrin e testimeve përderisa nuk është bërë ende vonë. Sipas saj duhet të gjurmohen në mënyrë më efikase edhe rastet e kontaktit me personat e infektuar.

“Të ndodhur në periudhën vendimtare sa i përket pandemisë COVID-19 dhe bazuar në numrin gjithnjë në rritje të të infektuarve dhe numrin e vogël të testimeve në krahasim me vendet e rajonit, të dhëna këto të konfirmuara edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Kosovë, bëj apel për institucionet përgjegjëse shëndetësore në vend që përveç rekomandimeve për masa të izolimit dhe kufizimit të lëvizjes së qytetarëve dhe konferencave për shtyp, të rrisin numrin e testimeve sa nuk është bërë vonë dhe të mobilizojnë forcën profesionale mjekësore. Në të kundërtën deklarimet e tyre se jemi të fokusuar në menaxhimin e situatës me COVID-19 nuk kanë asnjë kuptim”.

“Të testohen dhe të gjurmohen rastet e prekura anekënd Kosovës sepse jemi vend i vogël dhe me një angazhim më të mirë edhe mund të ia dalim. Me keqardhje më duhet ta theksoj konfirmimin e ekspertëve të fushës së infektologjisë në vend, se sa është brengosese numri në rritje i rasteve aq më brengosese është fakti për rritjen e numrit të pacientëve me komplikime e të cilat shihen si të vonuara në identifikim. Zbulimi dhe trajtimi më kohë i rasteve të reja do mundësoj sukses në shërim dhe shpëtim të jetës në luftë me Covid-19”, ka shkruar Reshitaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Afrika mund të jetë epiqendra e re e koronavirusit, ka…