![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/02/albert-krasniqi.jpg)
Albert Krasniqi: Kosova po e përmbyll me sukses fushatën zgjedhore
Njohësi i çështjeve politike, Albert Krasniqi, ka thënë se Kosova po e përmbyll me sukses fushatën zgjedhore më të gjatën që nga shpallja e pavarësisë, pa ndonjë incident serioz që do të cenonte procesin.
Ai ka thënë se PZAP-i ka qenë në krye të detyrës, duke u kujdesur për “higjienën” e fushatës, pavarësisht përpjekjeve të disa partive politike për ta përshkallëzuar atë me gjuhë përçarëse.
“Një mangësi edhe e këtyre zgjedhjeve, mbetet mungesa e kurajës të atyre që e konsiderojnë veten favorit për tu ballafaquar në debate televizive me rivalët politikë. Në mungesë të këtyre përballjeve, diskursi publik për fushatën po reduktohet në përmasat e tubimeve zgjedhore. Kush kishte më shumë njerëz në tubim, në vend se kush kishte idetë më të mira për zgjidhjen e problemeve tona!”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.
Ai ka thënë se tani sfida mbetet tek KQZ-ja. “Ndryshimet ligjore – veçanërisht shtimi i opsioneve për votim jashtë vendit dhe numërimi ndaras i votave të kandidatëve – do ta vështirësojnë ndjeshëm organizimin e zgjedhjeve dhe mund të rrezikojnë integritetin e tyre. Urojmë që KQZ të arrijë ta menaxhojë procesin me sukses! Sa i përket votimit, përparësia është që tashmë i kemi parë të gjitha partitë sesi qeverisin. Maksima ‘po i provojmë edhe këta se nuk kanë qenë në pushtet’ nuk vlen më”.
“Një tjetër mësim nga qeverisja e fundit është se kur një parti e vetme ka duart e lira mbi gjithë pushtetin, nuk e shfrytëzon këtë për të mirën e përgjithshme, por për kapjen e institucioneve dhe avantazhe ekonomike personale. Prandaj, këto zgjedhje janë të rëndësishme për ruajtjen e demokracisë. Kushdo që arrin të formojë qeverinë, nuk duhet të lihet i vetëm dhe pa siguresa kontrolli, që të mos devijojë nga rruga e popullit”, ka shkruar Krasniqi.