Albin ik!
Shkruan: Hisen Berisha, deputet aktual dhe kandidat për deputet në listën e PDK-së
Deklaratat e fundit të Richard Grenell, ish-i dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, janë një sinjal i qartë për krizën e thellë në marrëdhëniet mes qeverisë së Albin Kurtit dhe aleatit tonë më të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Grenell ka theksuar se Kurti ka kundërshtuar çdo iniciativë të propozuar nga administratat e presidentëve Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump, duke e bërë atë një partner të pabesueshëm për SHBA-në.
Këto qëndrime të Kurtit kanë dëmtuar rëndë raportet me SHBA-në, pasi ai shpesh ka vepruar pa koordinim me Uashingtonin, duke lënduar besimin dhe bashkëpunimin e ndërtuar me dekada.
Është e qartë se vazhdimi i kësaj rruge do të sjellë pasoja të rënda për vendin tonë.
Nëse Albin Kurti dëshiron të ruajë një minimum dinjiteti dhe të shmangë një përballje të dhimbshme me SHBA-në pas 9 shkurtit, ai duhet të dalë para popullit dhe të tërhiqet nga gara dhe jeta politike.
Në të kundërt, përballja me Amerikën do të jetë fatale për të dhe subjektin e tij.
Amerika kurrë nuk heq dorë nga shteti i Kosovës, dhe ne nuk mund të lejojmë që veprimet e një individi të rrezikojnë të ardhmen tonë.
Prekazi, Drenica dhe mbarë Kosova nuk e durojnë provokimin e simbolit të tre gishtërinjve, siç bëri Kurti dhe shpura e tij e jugonostalgjikëve.
Nëse kryeideologu i tyre, Akademiku Qose, ua ka deshifruar si trinom të ortodoksizmit, apo kryekëshilltari për negociata, Veton Surroi, si tre shtylla për “Republikën e tretë”, për shqiptarët ky është simboli famëkeq i njësive çetnike që mbahen mend për histori krimesh ndaj popullit shqiptar.
Prandaj, koha për thirrjen “Albin, ik!” ka ardhur. Është momenti që Kurti të pranojë përgjegjësinë për veprimet e tij dhe të hapë rrugën për një udhëheqje që do të punojë në harmoni me aleatët tanë strategjikë, duke siguruar paqen, stabilitetin dhe prosperitetin për Kosovën.
Por kjo nuk e amniston atë nga dëmi shumëdimensional që ka shkaktuar në Kosovë gjatë këtyre viteve të angazhimit politik. Duhet patjetër dhe do të insistoj në hetimin nga FBI i tërë procesit politik dhe dialogut e dokumenteve që ka prodhuar ky proces, përfshi marrëveshjet ndërkombëtare antikushtetuese në dëm të Kosovës.