
Albin Kurti duhet të heqë dorë nga veriu i Kosovës
Kreu i Nismës, Fatmir Limaj, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti duhet të heqë dorë nga veriu i Kosovës pas zgjedhjeve të djeshme në katër komuna të veriut, në të cilat serbët e kësaj pjese e bojkotuan procesin zgjedhor.
Sipas Limajt, qeveria do të duhej ta zgjidhte krizën politike që shkaktuan dorëheqjet e serbëve nga institucionet e jo të organizonte zgjedhje.
“Serbët e Kosovës në vazhdimësi kanë qenë viktimë e instrumentalizuar që sa dekada, dhe ende e kanë këtë problem nga Beogradi. Në shumë raste ne në Kosovë me veprimet tona, ia kemi mundësuar Beogradi. Qytetarët kanë mbetë në mes dy zjarreve. Vazhdon ajo situatë e rëndë për ta. Agjendet e këtyre njerëzve kanë fituar. Kjo është rruga me e mirë e Kurtit për të heq dorë nga pjesa veriore e Kosovës. Zgjedhjet nuk janë në vetëvete demokratike vetë mbajtja e tyre. Nuk është detyrë ligjore e demokratike e zgjedhjeve edhe mori kush mori pjesë”, tha Limaj.
Sipas tij, kryeministri Kurti e presidenti Vuçiq do t’i vazhdojnë agjendat e tyre politike dhe t’i mashtrojnë qytetarët e veriut.
“Ka humbur qytetari i Kosovës, ka humbur demokracia. Ka humbur mundësia e integrimit, të bashkëjetesës, qytetaria. Përderisa kanë fituar edhe Kurti besoj edhe Vuçiqi, ata do të vazhdojnë agjendat e tyre politike, vazhdojnë tensionin e mashtrimin e të dyja palëve. Në Beograd Vuçiqi shpalli triumf të unitetit historik serb, e Kurti këtu shpall fitore të shtetit dhe demokracisë”, tha Limaj në “Politiko”.