Albin Kurti e shkarkon asistentin e tij personal, nuk dihen arsyet
Arianit Beqiri, i cili shihej si njëri prej njerëzve më të besueshëm të Albin Kurti është shkarkuar prej tij në mënyrë të papritur.
Beqiri deri më tani ka mbajtur pozitën e Asistentit të Lartë Personal të Kryeministrit, shkruan Demokracia.
Edhe pse Beqiri u shkarkua nga kryeministri Kurti me urgjencë, nuk dihet nëse ai u shkarkua për shkak të paaftësisë për ta kryer si duhet punën e tij apo për shkaqe të tjera. Sidoqoftë, në vendimin e Kurtit që është siguruar ndonëse vendimi u nënshkrua nga Kurti sot më 19 janar, pasi u kthye nga Davosi, aty precizohet që Asistenti i Lartë Personal i tij është liruar nga detyra nga data 15 janar, përkatësisht nga dita kur është shënuar Përvjetori i Masakrës së Reçakut.
“z. Arianit Beqiri, lirohet nga detyra Asistent i Iartë personal i Kryeministrit. z. Arianit Beqiri i pushojnë të gjitha të drejtat dhe obligimet që dalin nga akti i emërimit, përfundimisht nga data 15/01/2024″, thuhet në vendimin e nënshkruar nga Kurti.
Më tutje, në këtë vendim tregohet se Beqiri duhet t’i dorëzojë të gjitha dokumentet dhe mjetet e punës.
“Nëpunësi i kabinetit është i obliguar të bëjë dorëzimin e detyrës dhe dokumenteve që lidhen me detyrën tek mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë, ndërsa mjetet e punës dhe inventarin tek njësitë përgjegjëse për mbajtjen e mjeteve të punës dhe inventarit fizik. Vendimi hynë në fuqi ditën e nënshkrimit nga Kryeministri”.
Arianit Beqiri aktualisht është edhe asamblist i Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës.