
Albin Kurti në 26-Vjetorin e vrasjes së intelektualëve shqiptarë: “Sakrifica e tyre është e përjetshme”
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përkujtuar intelektualët shqiptarë Bajram Kelmendi, Agim Hajrizi dhe Latif Berisha në përvjetorin e vrasjes së tyre.
Kurti tha se me fillimin e bombardimeve të NATO-s serbët sulmuan mbështetësit e luftës çlirimtare.
“Policët e Serbisë hynë dhunshëm në shtëpinë e Bajram Kelmendit, avokat e aktivist në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. E rrëmbyen me dhunë bashkë me djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin. Të tre u gjetën të vrarë dy ditë më vonë”, shkroi Kurti.
Kurti tutje tha se të tillë njerëz, që sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe të ardhmen e Kosovës, nuk harrohen kurrë.
“Në Mitrovicë, në shtëpinë e tij, e vranë sindikalistin e paepur, Agim Hajrizin, bashkë me nënën Nazmijen dhe të birin 11 vjeçar, Ilirin.
Në prag të shtëpisë së tij në veri të Mitrovicës, në natën e 24 marsit, forcat e armatosura të Serbisë vranë intelektualin Latif Berisha, kryetar i LDK-së në Mitrovicë, profesor universitar i historisë së letërsisë shqipe dhe udhëheqës i pajtimit të gjaqeve.
Në 26-vjetorin e vrasjes së tyre, e kujtojmë jetën dhe veprën e Bajram Kelemendit, Agim Hajrizit dhe Latif Berishës. Nuk e harrojmë angazhimin e veprimtarëve tonë në rrugëtimin e gjatë për çlirimin e Kosovës.
I përjetshëm qoftë kujtimi për ta”, shkroi Kurti.