Albin Kurti në Internacionalen Socialiste: Progresi i Kosovës e zemëron shumë Serbinë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se progresi i vendit që ai e udhëheqë po e “zemëron” Serbinë, pasi që folur për propagandën e Beogradit gjoja se Prishtina po diskriminon serbët e Kosovës.
Këto komente, Kurti i ka bërë në mbledhjen e parë të Komitetit për Evropë në kuadër të Internacionales Socialiste, që po mbahet në Bukuresht të Rumanisë, përmes një video mesazhi.
Fillimisht, Kurti ka uruar liderin e Partisë Laburiste, Keir Starmer, për fitoren në zgjedhjet e Mbretërisë së Bashkuar, duke theksuar se kjo fitore “shërben si dritë karshi prapavijës së errët me të djathtën ekstreme në Evropë”.
Kryeministri Kurti, siç ka njoftuar Lëvizja Vetëvendosje, përshëndeti panelet që adresuan ngritjen e të djathtës, dhe foli për rrezikun që paraqet për sigurinë dhe paqen ideologjia ekspansioniste e Rusisë dhe Serbisë në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor.
“Ashtu sikur në vitet para të Luftës së Dytë Botërore, Serbia, me ndihmën e aleatit të saj të ngushtë Rusisë, po përpiqet të mobilizojë mbështetjen për ambiciet e saj ekspansioniste përmes dezinformimit dhe propagandës duke gënjyer popullin e saj për armiqtë e supozuar të Serbisë dhe të serbëve etnik në vendet fqinje”, potencoi Kurti.
Një gënjeshtër e tillë, sipas kreut të ekzekutivit, “është pretendimi i përsëritur i Serbisë se Kosova po kryen spastrim etnik ose pogrome kundër popullatës etnike serbe”.
“Ky pretendim është hedhur poshtë gjerësisht nga organizata të pavarura si Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi dhe Iniciativa Evropiane e Stabilitetit në Berlin”.
Në fakt, për kryeministrin, e kundërta është e vërtetë.
“Qeveria jonë social-demokrate në Kosovë jo vetëm që ka pasur sukses në luftimin e korrupsionit dhe krijimin e vendeve të punës – ne gjithashtu kemi siguruar që të gjithë qytetarët tanë, përfshirë komunitetin etnik serb, të gëzojnë frytet e zhvillimit tonë”.
“Ky progres është pikërisht ajo që e zemëron kaq shumë Beogradin: Sa më shumë qytetarë etnik serbë që integrohen në Republikën e Kosovës, aq më e vështirë është për Serbinë të arrijë vizionin e saj për zgjerim territorial”, shtoi.
Nga VV kanë njoftuar se në fund të punimeve të kësaj mbledhje të Internacionales Socialiste, të pranishmit miratuan një deklaratë të përbashkët mbi qëndrimet për ngjarjet e fundit, ku ndër të tjera theksohej urgjenca e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, si hap që do të siguronte stabilitet, paqe, siguri, zhvillim e prosperitet për këto shtete.