Albin Kurti paralajmëron diskutime me Brukselin për Specialen
Nga organizatat e veteranëve të luftës tashmë kanë nisur thirrjet për institucionet e ardhshme të Kosovës që të refuzojnë të vazhdojnë mandatin e kësaj gjykate, para së gjithash, për shkak se e konsiderojnë të njëanshme dhe siç thonë, ajo do të gjykojë vetëm një bashkësi etnike, ndërkohë që, sipas tyre, krimet serbe në Kosovë do të mbeten të padënuara.
Njohësit e Kushtetutës së Kosovës theksojnë që vetëm një amendament i ri kushtetues mund t’ia vazhdojë mandatin Gjykatës, ndërkaq që udhëheqësit politikë po paralajmërojnë që kjo çështje do të jetë temë e diskutimit në legjislaturën e ardhshme, në Kuvendin e Kosovës.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili është pretenduesi kryesor për kryeministër të Kosovës, në një deklaratë për “Radion Evropa e Lirë”, ka theksuar se qeveria e re dhe ai si kryeministër, lidhur me Gjykatën Speciale do të shtrojnë dy diskutime.
“Njërin (diskutim) parlamentar në Kuvendin e Republikës, mbi Gjykatën Speciale, e cila ka shpenzuar më shumë se 100 milionë euro të taksapaguesve evropianë dhe nuk ka ngritur asnjë aktakuzë e lëre më të shpie deri në fund ndonjë proces. Dhe në anën tjetër, një diskutim me Brukselin mbi këtë ngrehinë të pazakonshme të drejtësisë. Prej këtyre diskutimeve, duhet të marrim vendimin meritor në vitin e ardhshëm”, ka thënë Kurti.
Kurti, subjekti politik i të cilit në vitin 2015 ka votuar kundër ndryshimeve kushtetuese për formimin e kësaj gjykate, përkujton se që nga fillimi ka qenë skeptik lidhur me drejtësinë që mund të arrihet në atë gjykatë. Ai ka shtuar që, në vend të gjykatave speciale, Kosovës i nevojiten “gjykata normale, procese normale dhe drejtësi normale, por edhe që kriminelët e luftës dhe të paqes të jenë në burg”.
“Me funksionimin e gjykatave normale, ne do ta bëjmë gjithnjë e më të panevojshme Gjykatën Speciale, e cila, ndonëse është gjykata më e re për Kosovën, ajo nuk është e re, sepse së shpejti bëhen 4 vjet e gjysmë të amandamentimit të Kushtetutës tonë për t’i bërë vend kësaj Gjykate Speciale, e cila me një këmbë është brenda vendit dhe me një këmbë është jashtë vendit. Rrjedhimisht, ajo është gjykatë ‘sui generis’ që mbase nuk do t’ia arrijë të mbrojë dot veten e saj në Strasburg, një ditë”, ka thënë Kurti.