
Albin Kurti po i bën përpjekjet e fundit para seancës së nesërme, Duda Balje futet në qeveri për takim me të
Kryetari i Lëvizjes Vetëvenedosje nga zyra e tij në qeveri si kryeministër në detyrë po i bën përpjekjet e fundit për t’i siguruar votat për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit dhe zgjedhjen e qeverisë së re që synon ta udhëheqë edhe më tej ai.
Duda Balja, deputetja e zgjedhur boshnjake, u pa duke hyrë në qeveri për t’u takuar me Kurtin.
Balje nuk pranoi të deklarohej para takimit.
Gazetarja e T7 tha se ajo është takuar me Kurtin edhe më herët gjatë ditës.
Përveç saj, ajo tha se në qeveri ishin edhe deputetë tjerë të zgjedhur nga pakicat, si zëvendëskryeministrja në detyrë, Emilija Rexhepi e ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka.
Deputeti egjiptian, Veton Berisha, tha më herët se ka “kontakte të vazhdueshme” me Kurtin, por shtoi se ende nuk e di se a do të votojë nesër apo jo. Ai dhe Balje janë në mesin e deputetëve minoritarë që nuk ia kanë premtuar ende votën Kurtit.
Në seancën e nesërme Kurti ka synuar edhe zgjedhjen e qeverisë, gjë që tani, një ditë para seancës, duket e vështirë.