Albin Kurti prezanton aderimin e ri në parti
Kastriot Jonuzi është bërë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Ka qenë vetëm dy vjeç kur ka shkuar në Angli me prindërit e tij. Sot dëshiron të kthehet në Kosovë që të punojë në vendlindje. Kastriot Jonuzi u anëtarësua në Lëvizjen Vetëvendosje!. Ai është jurist i diplomuar në Universitetin Surrey në Angli, dhe ka përfunduar edhe studimet pasuniversitare në fushën e Qeverisjes, Rrezikut dhe Pajtueshmërisë në International Compliance Association. Kastrioti punon si menaxher i sektorit të AML (kundër pastrimit të parave) dhe pajtueshmërisë në Community Loans of America (Loans 2 Go) që nga viti 2016”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Kurti ka thënë se me profesionistë të kësaj fushe, do ta kenë më të lehtë luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë.
“Lëvizja jonë është adresa e njerëzve vullnetmirë që duan të kontribuojnë me dijen dhe shkathtësitë e tyre për jetën dhe mirëqenien e të gjithëve. Kthimi i trurit do të jetë prioritet i qeverisë sonë të re”, ka shkruar Kurti.