Albin Kurti rizgjedhet kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje
Albin Kurti është rizgjedhur kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje me 98.60 për qind të mbështetjes së anëtarësisë.
Lajmi është bërë me dije nga ky subjekt politik.
“Përgjatë javëve në vijim, procesi do të vazhdojë me zgjedhjen e kryesive të qendrave, e do të përfundojë në fund të muajit Tetor me zgjedhjen e kryesisë së LV në mbledhjen konstituive të Këshillit të Përgjithshëm. Në këtë proces të gjatë janë strukturuar gjithsej 485 pika në 29 qendra të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka njoftuar LV-ja.
Në këto zgjedhje për herë të parë u votua edhe për strukturat e organizatës Gratë për Vetëvendosje! dhe Rinia për Vetëvendosje.
“Për kryetare të organizatës Gratë për Vetëvendosje është zgjedhur Albulena Haxhiu me 94.55 për qind të votave. Për kryetar të organizatës Rinia për Vetëvendosje është zgjedhur Behar Jashari me 85.55 për qind të votave”, ka njoftuar LV-ja.