Albin Kurti shpall fundin e mandatit: Qeveria kaloi në detyrë, pa nevojë për dorëheqje

27 mars 2025 | 17:25

Me përfundimin e mandatit të qeverisë, sipas Kurtit, nuk ka nevojë për aktin shtesë dhe formal të dorëheqjes “prej posteve përkatëse”, sipas Ligjit për Qeverinë.

Pas certifikimit të rezultatit zgjedhor nga ana e Komisionit Qendror Zgjedhor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se mandati katërvjeçar i Qeverisë së Kosovës ka përfunduar zyrtarisht.

Sipas tij, me certifikimin e rezultatit zgjedhor, ekzekutivi kaloi në fazën kalimtare të funksionimit si qeveri në detyrë.

“Ajo efektivisht është sikur qeveria në dorëheqje e mandateve të mëhershme të të tjerëve. Kjo është hera e parë që një Qeveri e Republikës së Kosovës ka përfunduar me sukses mandatin e plotë kushtetues, duke shënuar një kapitull të ri të stabilitetit institucional në Republikën tonë demokratike”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.

Me përfundimin e mandatit të qeverisë, sipas Kurtit, nuk ka nevojë për aktin shtesë dhe formal të dorëheqjes “prej posteve përkatëse”, sipas Ligjit për Qeverinë.

“Në këtë rast, Ligji parasheh që Qeveria dhe të gjithë anëtarët e saj vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre, duke respektuar plotësisht kufizimet e parashikuara nga neni 30 të Ligjit të lartcituar, si dhe kërkesat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re nga Kuvendi i Kosovës, qeveria në detyrë, sipas Kurtit, do të ushtrojë “të gjitha përgjegjësitë që i takojnë pushtetit ekzekutiv në përputhje me legjislacionin në fuqi”.

“Kjo e vendos Qeverinë në një rol kujdestar, për të garantuar vazhdimësinë, sigurinë dhe funksionimin e pandërprerë të shtetit, në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve”, ka shtuar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Serbia do të përballet me humbjen e aksesit në importet…