Albin Kurti: Zgjedhjet më mirë të mbahen në verë se në dimër
“Patëm shumë gjëra për të diskutuar, sepse nuk jemi takuar kaherë”, deklaroi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin, i vetmi ky nga opozita që iu përgjigj ftesës për “një darkë pune”, duke shtuar se ai është pro shkuarjes në zgjedhje në verë, apo në vjeshtë, por tha se për këtë duhet të arrihet pajtim i përgjithshëm edhe me opozitën.
Kurti e pranoi se është diskutuar për zgjedhje, ashtu siç tha edhe Krasniqi, por shtoi se temë kryesore ishte diskutimi për “agjendën legjislative” për çka edhe e kishte bërë zyrtarisht ftesën.
“Sonte diskutuam çështje të aktualitetit politik, por me theks të veçantë tek agjenda legjislative. Ne i kemi 13 marrëveshje ndërkombëtare dhe nuk mjafton shumica e thjeshtë. Gjithashtu i kemi projektligjet që na nevojitet mbështetja e opozitës dhe bashkëpunimi me ta. Për këtë diskutuam, si do të mund të komunikojmë më mirë në ditët në vijim”, pohoi Kurti.
“Diskutuam edhe sa i përket ecjes së Kosovës në integrimet ndërkombëtare, por gjithashtu edhe sa i përket mundësisë së zgjedhjeve të reja në të ardhmen e afërt, kur dihet që unë tashmë kam hyrë në vitin e fundit të mandatit qeverisës”.
Sa i përket zgjedhjeve, Kurti deklaroi se tashmë “që nga marsi i këtij viti, nuk mund të themi se zgjedhjet e ardhshme janë çështje e viteve, por muajve”.
“Andaj edhe unë jam i interesuar që ta diskutoj me opozitën se cila është stina më e përshtatshme. Më mirë është në pranverë ose në vjeshtë. Nëse shkon mandati deri në fund, zgjedhjet i bijnë në dimër, andaj le ta diskutojmë a është më mirë në pranverë ose vjeshtë, por nuk dua që për këtë ta imponoj vullnetin tim, ose të them vetëm kështu se nuk mundet ndryshe, edhe për shkak se kjo është një çështje për të cilën nuk duhet të bëjmë debat”.
Në vend se të takohemi në zyra e ku do të na duhej të porosisim për kafe, thanë më mirë takohemi për darkë.
“Unë nuk do të doja që të shpërndahet Kuvendi me dy parti e me tri parti, pse të mos jemi që të gjithë bashkë. Është në natyrën e opozitës që të kërkojë zgjedhje, unë jam në vitin e fundit të mandatit. Për mua nuk është thelbësore a do të qeveri në këtë mandat edhe 10 muaj, tetë, apo tre muaj. Jam i interesuar që ky bashkëbisedim të vazhdojë edhe më të tjerët”.
Kurti në fund theksoi se “situata e përgjithshme politike për shtetin e Kosovës i tejkalon edhe qëndrimet e partive, e opinionet e deputetëve”, prandaj kërkon që “të diskutohet më shtruar”.
“Unë nuk mund ta përcaktojë datën e zgjedhjeve vetë. Edhe po ta kisha mundësinë nuk do të ishte në rregull”.