Albini i bashkohet LV-së, Kurti thotë se do të fitojnë më 6 tetor
Lëvizjes Vetëvendosje i është bashkuar Albin Gashi, i cili do të jetë kandidat për deputet nga radhët e kësaj lëvizje.
Kurti ka thënë se me Albinin do të korrin të shumta.
“Njihem moti me Albinin. Do të punojmë gjatë bashkë. Do të korrim shumë fitore. E para në radhë është me 6 tetor”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Kurtit:
Në qershor 2017 u dyfishuam si VETËVENDOSJE!, kurse në shtator 2019 u dyfishova si Albin.
Albin Gashi na u bashkua në Lëvizje dhe është në listë të VETËVENDOSJE!-s si kandidat për deputet të Republikës.
I lindur në vitin 1989 në Prishtinë, Albini vijoj mësimet e shkollës fillore dhe të mesme në vendlindje, u shqua si basketbollist i talentuar, me ç’rast, në vitin 2008, me bursë meritore vazhdoi vitin e fundit të shkollës së mesme në Dallas, Texas.
Filloi studimet në San Diego, California, dhe i përfundoi ato në Fordham University në New York, NY, si i diplomuar për Studime Ndërkombëtare.
Gjatë studimeve, themeloi kompaninë Powow Entertainment që theu rekordet e aktivitetit kulturor të mbajtur në Kosovë, ku mbi 25 mijë persona ishin në stadiumin e Prishtinës.
Shpresa e potencialit për zhvillimin e Kosovës e ktheu Albinin në Kosovë në vitin 2014, ku e themeloi kompaninë Omelink për Business Processing Outsourcing, në të cilën ndër vite punësoi mbi 300 persona.
Njihem moti me Albinin. Do të punojmë gjatë bashkë. Do të korrim shumë fitore. E para në radhë është me 6 tetor.
/Epoka e re/