“Albini më hyri në zyrë dhe tha shpjegoma këtë punë” – Shpend Ahmeti flet për ‘skandalin’ e jahtit
Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka folur për ‘skandalin’ e jahtit, një prej momenteve që do të mbahet mend në karrierën e tij politike për një kohë të gjatë. Në një rrëfim për Pressing, Ahmeti ka thënë se fotografia e tij në jaht me Blerim Devollin i ka shkaktuar kosto të lartë politike.
Ai ka thënë se nuk ka ditur ta menaxhojë dhe se ka pasur mungesë të strategjisë, duke e bërë dëmin edhe më të madh.
Ahmeti ka thënë se në mënyrë të pavetëdijshme ky moment i kishte konvenuar Albin Kurtit. E për këtë gjë, ai tha se Kurti i kishte shkuar në zyrë duke i kërkuar sqarime.
“Albini më mëshoi në Kuvend, e njëherë erdhi në zyrë te unë e tha a mundesh me ma shpjegu këtë punë… tash unë u bëra njëfarë i keqi e me lidhje me oligarkë. Ka qenë e padrejtë edhe ndaj Blerimit se u dashke me thanë që s’e njoh e në fakt më pati ndihmuar edhe me FER-in”, ka thënë Ahmeti.
Kryetari Ahmeti ka thënë se Blerim Devollin e njeh prej kohësh.
“Blerim Devollin e njoh moti dhe e kam takuar. Janë do çështje që të mbesin në karrierë e disa harrohen brenda tre ditëve. Kjo më ka mbetë. Në momentin që hypëm në jaht, as s’kemi pasë me shku kërrkund as asgjë. I pari fotografinë ma pati dërguar Baton Haxhiu. Nuk e di ku e ka marrë, jam marrë me teori kush ka mundur ta bëj, por më s’merrem, s’ka kuptim”, ka thënë Kryetari i Prishtinës.
“E kam pagu një kosto tepër të madhe”, ka shtuar ai.