Albini po ballafaqohet me pengesat politike që i ka ngritur vet
Shkruan: Hajdin Abazi
Albin Kurti, ndonëse po mbahet sikur është i qetë, në të vërtetë ai është në siklet të madh, pasi që ai po përballet me rrjedhojat e veprimeve të veta politike përgjithësisht e posaçërisht me ato të qeverisjes së tij. E keqja këtu është se pasojat po i vuan Kosova në shumë aspekte, si prishje e imazhit, averzion te partnerët, ngecje, bllokade, ftohje relacionesh e deri te sanksionet (që për ta zbutur po quhen vetëm “masa”), kurse vetë shkaktari i tyre, kryeministri Albin Kurti, asnjë pasojë ende nuk e ka ndjerë në lëkurën e tij (ndonëse, nuk besoj se do të mbetet pa asgjë në të ardhmen). Prandaj, ai paraqitet si komod, kur, në fakt, çdo njeri me ndërgjegje, nuk do të ndjehej aspak i tillë, po do të duhej të ishte thellësisht i brengosur dhe mbase, kaherë edhe të kishte dhënë dorëheqjen. Por pushteti është tepër i ëmbël, joshës e magjepsës, sa po të futi në orbitën e tij gravitacionale, nuk të lëshon dot; ndaj dhe Albini nuk gjen dot forcën që të çlirohet nga verbëria magjepsëse e pushtetit, ashtu si thuaja të gjithë kryeministrat e deritashëm të Kosovës e përgjithësisht të Ballkanit.
*
Po qe se shihet realisht, qëndrimi radikal i Albin Kurtit, i cili është dizajnues i politikave të LVV, ka qenë i këtillë që nga fillimi. Ai ishte jo vetëm mohues, por edhe nihilist. Gjithçka që ishte bërë, që kishte arritur Kosova, politikanët vendor, me kontributin edhe të ndërkombëtarëve dhe sidomos me mbështetjen e ShBA, ai u kishte dalë kundër jo vetëm verbalisht, por edhe me protesta ku pati dhe të vrarë. Azgënllëku i tij politik që kishte ushqyer bindjet e anëtarëve me frymë antiamerikane, u shpreh sidomos kur nuk hezituan aspak ta sulmonin fizikisht ambasadoren amerikane. Kurse amoraliteti i tij politik u shfaq kur ai, në stilin e filmave western, shpërndante fletërrufe “Kërkohet i gjallë a i vdekur” Ibrahim Rugova e Hashtim Thaçi, për rrenën se gjoja do ta bënin pavarësinë; dhe kur pavarësia u shpall – jo vetëm nuk kërkoi falje për njollosjen dhe denigrimin që u kishte bërë të apostrofuarve, por, çka është edhe më absurdja, as nuk e ka “njohur” e as “pranuar” shpalljen e pavarësisë – ai është deklaruar për një Republikë të tij: Republikën e tretë. Ai kishte bindur të tjerët rreth tij se ndaj kastave politike në pushtet nga paslufta gënjeshtra e shpifja ishin që duhej bërë, jo vetëm kur e për çka e meritonin, por për gjithçka me qëllim komprometimi, mbjellje mosbesimi, dyshimi, dëshpërimi, humbje shprese, zhgënjimi dhe demoralizimi, ashtu që ata të bëheshin sinonim i së keqes. Dhe, realisht, ai pati mjaft sukses, edhe për faktin se u bënë jo pak gabime nga pushtetarët, që, dashje pa dashje, sikur konfirmonin ato që po trumbetonte propaganda e Albin Kurtit.
*
Pushtetarët përgjithësisht, e posaçërisht liderët e dalë nga lufta çlirimtare e Kosovës, ishin treguar neglizhentë, e kishin nënçmuar dhe e kishin konsideruar të parrezikshëm e të pa gjasshëm për të ardhur në pushtet Albin Kurtin me qëndrimet dhe politikat e tij, sa madje ndonjëherë e shihnin edhe me simpati. Kalkulimet ishin të gabuara, tepër me këndvështrim të ngushtë: se perëndimi do të shihte rrezikun që paraqiste Albini po të vinte në pushtet, dhe do të ishte i kënaqur me liderët pro-perëndimor dhe që, me pak presion intern, bënin ashtu sikurse u kërkonin vendet euro-atlantike e sidomos SHBA.
Ndërkohë Albini shkonte duke u radikalizuar, por edhe duke e fituar përkrahjen, simpatinë dhe mbështetjen. Ai nuk hezitoi t’i çonte militantët e vet te shtëpia e kryeministrit dhe ta kanosnin duke i thirre “Isë, Isë, argat i Serbisë!”; madje edhe t’i vinte pengesa me gozhda për t’ia shpërthyer gomat e veturës zyrtare. Ai organizonte militantët për t’i gjuajtur me vezë politikanë nga parti të ndryshme, për t’i njollosë dhe përdhosë. Tashmë ai ishte bërë aq i fuqishëm, sa nuk mund të ndalej dot.
Dhe, kur hyri si grup parlamentar LVV, tashmë ishte një subjekt ndonëse jo i madh në fillim, por me vendosmëri e radikalitetin e vet, arriti ta bënte fuzë Kuvendin e Kosovës. Madje, arriti edhe të hedhë gaz lotsjellës dhe ta kthejë kuvendin, që duhej të ishte arenë e debatit dhe e dialogut, në arenë betejash.
Ishin largpamëse, që koha i vërtetoi deri më sot, ato që i pati thënë Kadri Veseli, asokohe Kryekuvendar, se Kosova do t’ia shohë sherrin Albin Kurtit po qe se vjen në pushtet. Kur kjo u tha, ishte vonë, sepse ai kishte fituar simpatinë te qytetarët, pikërisht për shkak të guximit që t’u kundërvihej disa personaliteteve që dukeshin të paprekshëm si zotat e Olimpit, të cilët i denigronte me shpifje, fyerje, njollosje, gënjeshtra e çka jo – dhe asgjë nuk ndërmerrej, as dhe padi personale.
*
Albin Kurti një herë u përballë me parimet e veta dhe, me sa duket, gjatë atij asketizmi politik, kishte reflektuar dhe aty e kishte mbytur besnikërinë ndaj parimeve dhe etikës.
Ka të bëjë me kufizimin e mandateve të zgjedhjes së një personi kryetar partie për shumë herë, ashtu që të vlente rrotacioni. Për të treguar veten si parimor dhe që i qëndronte besnik qëndrimit, hoqi dorë nga konkurrenca dhe hapi rrugë: kryetar u zgjodh Visar Ymeri. Ndonëse nën hije, edhe asokohe autoriteti i vërtetë i LVV ishte Kurti dhe asnjë tjetër.
Koha kur Kurti nuk qe në krye të LVV, pavarësisht se kishte autoritetin e një të shenjti brenda saj, duket se e ka bërë të reflektojë. Megjithatë, kishte përjetuar mungesën e të mos qenit në epiqendër, ndaj dhe kishte menduar revizionimin e parimit dhe të moralit që rridhte prej tij, ashtu që ai të mund të vinte sërish në udhëheqje.
Por brenda LVV ishin krijuar tashmë besniket e atij parimi, të cilët reaguan dhe shprehën mospajtime. Përfundimi, ata u larguan nga LVV, disa krijuan një subjekt tjetër politik, disa mbetën të painkuadruar askund.
Pavarësisht kritikave me bazë që i bënin këta, Kurti tregohej i shurdhër në opinion ndaj tyre, kurse brenda subjektit partiak i amortizonte. Ai, kësisoj, po tregonte se kishte kuptuar forcën e të qenit në krye të partisë, të rolit përcaktues e dirigjues, dhe aq shumë ishte i kapur pas saj, sa nuk hezitoi aspak të konfrontohej me disa prej figurat më besnike të LVV; me çka po shprehte një vendosmëri në luftën për pushtet. Ai nuk ishte më njeriu që kishte kauza e që ato i kishte primare, por ai vet u bë kauzë brenda LVV dhe gjithçka duhej t’i vihej atij nën kontroll e të bëhej ashtu sikurse thoshte ai, qoftë edhe kur ishte krejt e kundërta me ato që kishte deklaruar më parë! Fjala e tij, urdhri i tij ishin ato që vlenin ne momentin kur jepeshin, dhe askush nuk duhej kontestuar ose vënë ato në dyshim, por vetëm duheshin zbatuar thjesht sepse “po thoshte ai”. Kështu, Kurti u bë kriter, parim, vlerë e parametër e jo ligjet!
*
Me konsekuencë, duke ndërtuar një narracion të gënjeshtërt dhe mashtrues, vetëm se me pak ingrediensa të vërtetash që të dukeshin si të vërteta të plota, Albin Kurti shkoi duke forcuar autoritetin e tij jo vetëm te LVV por edhe më gjerë.
Këtë e arriti me kauza, të cilat i kishte stisur, por jo edhe që mendonte t’u përmbahej; vetëm se ato ishin të tilla që shumë qytetar i kishin shpresuar, i kishin pritur por ato nuk kishin ndodhur nga asnjë qeveri. E tash, një lider që kishte një të kaluar publike jo pa peshë, po paraqitej si një Mesi, i cili do t’i rregullonte të gjitha ato që ishin bërë gabim, keqndërtuar dhe që ishin infektuar e pushtuar apo kapur nga “hajnat” e “kriminelët” e “banditët.
Bashkimi kombëtar. Albini pikërisht këtë e trumbetonte si strategji të programit. Por kur erdhi në pushtet (Qeveria Kurti 1), e harroi këtë kauzë dhe nuk e zuri fare në gojë; kurse më pas (në Qeverinë Kurti 2), zgjodhi Shqipërinë të deklaronte se Kushtetuta e Kosovës nuk e lejojnë bashkimin kombëtar. Me këtë, ai hoqi de facto dorë prej qëllimit kryesor kombëtar. Si për ta dëshmuar këtë, ai i acaroi raportet me kryeministrin Rama, vetëm sepse ky nuk po bënte sikurse po donte Kurti! Për kryeministrin e Kosovës nuk çon peshë aspak se kush çka është ose çka ka qenë, po kriteri i vetëm është se a e njeh Kurtin si lider. Nëse jo, mjaftonte kjo që t’i kundërvihej, sikurse bëri në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Luginë të Preshevës.
Çkapja e shtetit. Ishte një kauzë me të cilën kishte kapur një prej problemeve reale që ishin shfaqur në shtetndërtimin e Kosovës. Albini e theksonte “kapjen e shtetit” gjithandej, duke përmendur emra, institucione. Dhe premtonte se ai do të ishte i pa kompromis për ta çkapur shtetin. Dhe kur erdhi në pushtet (sidomos në Qeverinë Kurti 2), njëmend e çkapi shtetin, duke larguar nga postet, pavarësisht meritave dhe profesionalizmit, vetëm pse ishin vendosur nga partitë e tjera dhe nga kryeministra të tjerë. Kjo, do të ketë bërë jehonë te njerëzit e thjeshtë, dhe do të jetë dukur se po “çlirohet shteti nga kapja” (sikurse pati thënë kandidati për kryetar komune në Shtime, se ardhja e LVV në pushtet do të ishte një çlirim). Por nuk shihnin se ç’po ndodhte më tej: se Albini po të njëjtën gjë: po e kapte shtetin, shumë më keq, më hapur e publikisht se sa asnjë kryeministër tjetër më parë. Dhe përmes tyre, duke i përdorur si leva apo masha, ai godiste të tjerët, njerëz të partive të tjera ose edhe të paparti, por çuditërisht asnjë të LVV! [Madje, nëse është e vërtetë, kjo që brenda AKI-së është ngritur një grup për përcjelljen e gazetarëve Berat Buzhala, Lirim Mehmetaj, Ilir Mirena dhe Vehbi Kajtazi, vetëm pse këta publikojnë skandalet dhe korrupsionin – e një qeveri që frikësohet nga liria e gazetarisë tregon se ka për të fshehur të këqija të rënda; pra nëse kjo është e vërtetë – atëherë, në këso përmasash, është njëmend tepër shqetësuese; sigurisht, jo pse ndokush mund të vihet nën llupën e AKI-së e kjo do të ishte korrekte kur bazohej në burimet të besueshme dhe faktografi, por jo kur bëhet me porosi e në funksion të një partie – dhe pikërisht te kjo është shqetësimi!). Prej të gjitha institucioneve të pavarura, ka mbetur vetëm gjyqësia ku Albini nuk ka dështuar ta kapë – dhe shyqyr zotit, se po ta bënte edhe këtë, atëherë të gjithë ne që kemi mendime e qëndrime kritike ndaj Albin Kurtit do të targetoheshim e do të akuzoheshim për kriminel, spiunë, tradhtarë e çka jo!
Lufta kundër nepotizmit. Ishte një kauzë tjetër, së cilës fort i kishte rënë Albini. Kjo, po, ishte një kauzë drejtë. Nepotizmi kishte marrë përmasa shqetësuese, dhe radikaliteti i tij në targetimin e kësaj, në Kuvendin e Kosovës dhe në opinion, ishte ajo që ngjalli shpresën se ardhja e tij kryeministër, do të shuante këtë të keqe. Shumë të rinj sidomos do të kenë besuar se ai do ta bënte këtë, që të ju profesionistët dhe meritorët të vinin në shprehje. Por ai (në Qeverinë Kurti 2) bëri krejt të kundërtën – e çoi nepotizmin në një nivel më të lartë, të panjohur nga më parë: e legalizoi e bëri publik. Dhe e arsyetoi se “familjarët e tyre ishin të shkolluar”, dhe se u besonte atyre. Çështja e besimit në shtet, në praktikën e deritashme të Kosovës, kryesisht lidhet me besimin për dallavere, manipulime, abuzime me tenderë e me gjithçka tjetër.
Lufta kundër korrupsionit. Eh, ju kujtohet krekosja në Kuvendin e Kosovës, duke akuzuar qeveritë e tjera se ishin zhytur në korrupsion, dhe se tenderët ishin bërë në burim vjedhjeje të shtetit e të qytetarëve, e ky krim ishte aq i madh sa ai nisi të fliste për “gjakderdhje financiare”. Dhe fort çirrej se në qeverisjen e tij nuk do të kishte korrupsion. Kjo e bëri njëmend të besohej si një Mesi që do ta shpëtonte shtetin e qytetarët nga kjo zezonë. Ai pohon se vetë nuk është i korruptuar (unë nuk di se ndonjë kryeministër ka thënë ndryshe), ndonëse e lejon lulëzimin e korrupsionit. Dhe ai e di mirë sa ka korrupsion, por nuk ndërmerr asgjë, asnjë veprim, luftim jo se jo, po madje as distancim prej të korruptuarve. E bënë këtë, sepse nga që pikëpamja e tij, të korruptuar janë vetëm njerëzit e partive të tjera, kurse njerëzit e tij – edhe kur korruptohen, ata nuk janë të korruptuar; madje, jo rrallë, kur ndonjë partiak i tij është kapur në vepër korruptive, në vend të distancimit dhe thirrjes publike që drejtësia ta gjykojë, ai ka akuzuar vetë gjyqësinë për ngritjen e akuzave! Ç’fat që gjyqësia rezistoi dhe nuk iu nënshtrua diktatit të kryeministrit e ministres së drejtësisë dhe të presidentes, përndryshe krejt të korruptuarit e LVV do të dilnin të pastër! Gjyqësia ka të meta dhe nevojë të ngritët kualitativisht, profesionalisht dhe në besnikërinë ndaj ligjit, që ta ketë vetëm ligjin si udhëheqje e jo ndikimin politik, por ajo çka po kërkon Kurti dhe ministrja e drejtësisë është kapja e saj, që të instrumentalizohet, dhe të mundet të goditen të gjithë kundërshtarët e tij politik, kritikët dhe gazetarët që i zbulojnë aferat, korrupsionin, kapjen e shtetit dhe skandalet. Kur një anëtar i LVV në Prizren u dënua për korrupsion; kur një tjetër u kap dhe u dënua njëri me narkotikë; kur u kap kryeshefi i KEK-ut dhe u arrestua; kur doli afera e ambasadorit për allishverish me energji, edhe kur presidentja (për hesape të veta) publikisht u distancua me aludimin se kishte vepër të kryer për çka tragetohej; edhe kur u bë afera e vajit dhe e miellit, edhe kur u kap një anëtar i LVV për korrupsion lidhur me ambalazhimin; dhe tash kur u ngrit aktakuzë ndaj një ministri të tij, për të përmend disa nga ato që dihen publikisht – Albin Kurti heshti, kurrë nuk u deklarua e nuk u distancua. Ai nuk ka hezituar t’i akuzojë gazetarët, por kurrë vetë të korruptuarit. Duke e drejtuar gishtin kundër gjyqësisë se po ngrit akuza ndaj të korruptuarve, është thirrje publike ndaj drejtësisë që ajo të mos e bëj punën e vet, dhe gjithashtu edhe t’i amnistojë dhe inkurajojë të korruptuarit. Në luftën kundër korrupsionit, jo vetëm kapitulloi, por as nuk e nisi asnjëherë.
Çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nga kauzë me të cilën kishte ngjallur një iluzion se me patriotizmin e tij, kur të vinte në pushtet, nuk do të përfillte marrëveshjet e nënshkruara nga kryeministrave Thaçi e Mustafa, të cilët kishin gabuar deri në tradhti! Se Albin Kurti kryeministër nuk do ta bënte asociacionin. Por kur erdhi në pushtet (Qeveria Kurti 2), ai jo vetëm i hëngri fjalët e veta, jo vetëm e njohu asociacionin, por po kërkon me ngulm nënshkrimin e Marrëveshjes së re të Brukselit e të Anekseve të saja në Ohër, ani se, sikurse po thotë me ngulm ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani se asociacioni, sipas kësaj marrëveshjes së Kurtit, ka atribute të autonomisë territoriale dhe si e tillë, madje, edhe minon unitaritetin e shtetit të Kosovës. Nga ajo se nuk do ta bëjë fare, e ngriti në autonomi, dhe krejt ato që i ka thënë për të tjerët, po i mvesh edhe vet, vetëm së një katramëz me shumë!
Për secilën prej këtyre kauzave që u përmenden më sipër, sikur të kishin qenë njëmend kauza që vet Albin Kurti do t’i kishte besuar, ose po t’i kenë besuar vërtet LVV-istët, dhe kur do të kishte ndodhur krejt e kundërta, ashtu sikur ka ndodhur, ai vetë, si kryeministër, po të kishte pak moral politik, do të duhej të jepte dorëheqje, si dhe anëtarësia, ata që kanë besuar se do t’i përmbushte premtimet si kryeministër, do të duhej të distancoheshin, të protestonin e të kundërshtonin në forumet partiake – kjo do të ishte mënyrë qytetare për të shprehur zhgënjimin dhe për t’u distancuar nga gënjeshtra, mashtrimi dhe pasojat që po bien dhe do të bijnë mbi Kosovën
*
Por më e madhja prej kauzave, ku shpesh e kishte drejtuar kritikën Albin Kurti, kishte qenë politika e jashtme dhe sidomos dialogu, që të dyja të mpleksura jo vetëm me SHBA dhe BE, por edhe me OKB-në. Kauzën e dialogut, për të treguar dallimin me kryeministrat e mëhershëm, e kishte përcaktuar thuaja të fundit në fushatën zgjedhore Albin Kurti. Por, ai shpejt e ngriti në piedestal dhe vazhdoi dialogun ashtu sikurse kishin bërë edhe kryeministrat e tjerë. Ai dialogun dhe minoritetin serb e ktheu në një instrument, njëlloj si Vuçiqi, për të ngritur çështja, të cilat në parim ishin të drejta, por konteksti dhe qasja e mënyra si mendoheshin për t’u implementuar ishin në kohën kur i shkonin për shtati Serbisë dhe mund t’i shfrytëzonte kundër Kosovës – gjë që edhe do të ndodhë.
Kurti me sa duket asnjëherë nuk e ka kuptuar kompleksivitetin e dialogut me Serbinë dhe çështjen e veriut të Kosovës, po ka menduar se mund të zgjidhet lehtë, e që nuk është aspak ashtu.
Me sa duket vonë i ka dalë gjumi se ka pranuar një marrëveshje në kundërshtim me Kushtetutën, ndaj ai po e refuzon atë me insistimin për t’u nënshkruar ajo. Realisht, ky është vetëm pretekst. Sepse dihet se një marrëveshje e tillë, e pranuar verbalisht para të ngarkuarve të BE dhe me pëlqimin edhe të SHBA, është një marrëveshje e detyrueshme, ashtu sikurse e sqaroi edhe ish kryediplomati Enver Hoxhaj.
Ndonëse thoshte se nuk e bën, a nuk dërgoi në Gjykatën Kushtetuese çështjen e tokës rreth Manastirit të Deçanit!? Dhe u mor vesh, fajin ua hodhi kryeministrave paraardhës.
Të njëjtën gjë do ta bëj edhe me asociacionin.
Nëse SHBA-BE kanë lënë hapësirë për dialog, kjo kushtëzohet, në njërën anë, nga fakti se ato kanë probleme tjera më me prioritet, dhe, në anën tjetër, për t’u lënë palëve kohë të gjejnë zgjidhje; përndryshe, në momentin që ta vënë në rend të ditës, në stilin e presidentit Trump, do t’i ulin palët si nxënës shkolle dhe të nënshkruajnë atë që ju servohet.
Por Kurti megjithatë ka shkëlqyer me dështim në politikën e jashtme.
Aty ku ndoshta kontributi më i shkëlqyer i Kosovës ishte arritur, bashkëpunimi me SHBA e rrjedhimisht edhe me BE e me NATO, u ftohën deri në kërcënime publike.
Kurti e ka humbur kredibilitetin e vet si lider dhe si kryeministër (që e pati thënë presidenti francez Macron në Tiranë) si dhe e ka goditur edhe imazhin e Kosovës shumë te vendet euro-atlantike.
*
Nga qëndrimi se do të bisedonte me qytetarët serbë të Kosovës e t’i zgjidhe problemet e tyre, inicioi çështje të ndryshme, që në momente e caktuara, ishin tepër të ndjeshme dhe ato i mirëpriste Serbia, pasi që i shërbente si derivat për instrumentalizimin e minoritetit serb të Kosovës.
Por pritjet e SHBA-BE jo te Serbia po te Kosova, që kjo të tregohej bashkërenduese dhe koordinuese paraprakisht për gjithçka, ashtu që të amortizoheshin përpjekjet destabilizuese të Vuçiqit në Kosovë, e jo të bëheshin veprime në veri që i mirëpriste vetëm Vuçiqi. Këto veprime në veri i irrituan partnerët, sidomos SHBA. Kjo bëri që Albin Kurti të mos ftohej asnjëherë zyrtarisht në State Departamentin amerikan, as në presidencën amerikane. Nuk kishte ndodhur me asnjë kryeministër më parë kjo.
Madje, u deshtë të vinte drejtori i CIA-s, që të ndalte aventurën me dëme të paimagjinueshme të Kosovës. Problemi: hapja e urës së Ibrit. Serbia kishte përgatitur planin e gënjeshtërt për një gjoja eksod të minoritetit serb, dhe kjo në një kohë kur Albin Kurti ishte targetuar nga SHBA-BE si tensionshkaktues në veri me veprime të pakoordinuara. Sapo ta hapte polica urën, do të fillonte “ikja masive”, me parullat se kështu Qeveria Kurti po krijonte kushtet për terror ndaj serbëve! Ky skenar qe bërë i njohur nga mjetet e informimit, por kryeministrit u deshtë t’i tërhiqej veshi nga CIA, që ai të truste e të mos bënte “trimëri” në kurriz të NATO-s, për nevojat e veta elektorale.
E tash, përsëri u deshtë të vinte O’Brien, ndihmës Sekretar Amerikan i Shtetit, që të zhbllokonte çështjen e dialogut. Ikja nga dialogu, në politikën e jashtme, ka konotacionin e mosinteresimit për zgjidhje në tryezë paqësisht, por për konflikte në terren. O’Brien tregoi se mos dërgimi i draft statutit të asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, ishte shkaku i bllokimit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE). Thjesht, baza për t’u mos u pranuar ose për t’u harmonizuar draftstatuti i asociacionit me kushtetutën duhet të vijë nga Kushtetuesja. Aq më tepër qe Kurti e kishte pranuar Marrëveshjen si kryeministër.
Para pak kohe, Kurti thuajse e nxori Kosovën nga Procesi i Berlinit. Dikur ai kishte luftuar “Ballkanin e Hapur” përmes këtij Procesi, e tash, mendoi se gjeti një adut, për ta kushtëzuar atë. Në vend të veprimit me partneritet, Kurtit i erdhën kërcënime nga shumë shtete, përfshirë Gjermaninë, BE dhe SHBA.
Javën që shkoi erdhi në Kosovë presidentja e Këshillit Evropian, Ursula von der Leyen. Ajo tregoi se sanksionet nuk hiqen pa u kryer veprimet e marra si obligime, për të cilat edhe janë vendosur. Me fjalë të tjera, po i thotë Kurtit, përmbushi ato që i ke premtuar. Ti bëje punën tënde, e mos shiko se çfarë po bën Vuçiqi. Para zgjedhjeve zor se do t’i kryej zotimet e bëra (veç në e detyrofshin), por pas zgjedhjeve – Kurti do t’i bëj që ç’ke me të.
*
Qeverisja e ka një magji të dyfishtë, edhe joshëse, edhe verbuese. Është joshëse sepse të jep pushtet ekzekutiv, ku mund të marrësh vendime e të ndryshosh gjendjen (për të mirë ose për të keq), dhe kjo me sa duket e bën një kryeministër të ndjehet paksa si zot. Është verbuese, sepse të bën t’i minimizosh ato që ndodhin brenda qeverisjes, të mos i shquash e madje edhe të mos i besosh (duke dyshuar se i bëjnë për diskreditim e për heqjen nga pushteti). Kështu, fjala vjen ndodhë me skandalet: gjithnjë fajtorë konsiderohen të tjerët, sidomos opozita, dhe qeveritë e kaluara.
Për shembull, skandali me marrëveshjet e fshehura me Listën Serbe. Duke qenë deputetë, sigurisht se ishte e pranueshme të kërkohej bashkëpunimi edhe me Radoiçiqin, deri sa ky ishte faktor brenda asaj liste dhe kjo vepronte si i thoshte ai, dhe derisa nuk qe futur ne “listën e zezë” e nga SHBA. Por jo në mënyrë të fshehur, se vetë fakti se bëhej fshehur – tregon se kishte diçka amorale, ndaj dhe mohohej publikisht. Jo duke gënjyer se nuk kemi kërkuar votat e Listës Serbe për ligjin veteranët e UÇK, dhe për gjykatësit në Gjykatën Kushtetuese. Këtu qëndron amoraliteti, te mohimi di diçkaje që ka ndodhë. Dhe shihet se bashkëpunimi ka qenë bukur i ngrohtë, sa t’i thuhet “brate” (jo mik sikurse deshi të zbutej, por saktësisht domethënë “vëlla”). Mungoi sinqeriteti të deklarohej se ata ishin pjesëtarë të institucionit, të Kuvendit, dhe mbi këtë bazë ishte bashkëpunuar në pikat me interes të përbashkët; po për t’u dukur patriotë përtej bilahit – publikisht akuzohej Lista Serbe si levë e Vuçiqit, ndërkohë që bashkëpunimi ishte i ngrohtë si me “brate” më. Skandali “Zdravo” dhe “Brate” tregojnë shkallën e korrupsionit moral të pushtetit.
Skandali i korrupsionit në KEK, me etiketimin “Kapela”, nuk u zbulua nga qeveria, po nga mediat, të cilat publikuan mesazhet. Do të ishin private, sikur ato të kishin të bënin me jetën e tyre personale, por jo kur kishte të bënte me institucione publike, sikurse është KEK-u; nuk ka të bëjë asgjë me privatësi kur flitet për punësime, të jepen direktiva se kur nuk duhej e kur duhej ndalë rryma etj. Këto cenojnë interesin e publikes, dhe tregojnë se arrestimi për korrupsion i kryeshefit të KEK-ut, lidhej me dirigjime më të gjera. Pse duhej të vinte kapelë? Pse duhej maskuar? Pse duhej shkuar si ilegal?
Pas gjithë skandaleve që u listuan jo në mënyrë shteruese në këtë shkrim, kur një deputet i LVV bën thirrje që të mos votohen opozita, që të mos vijnë në pushtet hajnat, duket se logjika i ka marrë “spoj” dhe harron se partia e tij është në pushtet qe katër vite rresht, dhe thirrja e tij tingëllon si lutje, që “na jepni edhe një mandat sepse sa e kemi mësuar zanatin e hajnisë e edhe ne të pasurohemi në kurriz të shtetit, ashtu sikurse kanë bërë “hajnat” e mëhershëm”!
*
Të gjitha këto, dhe shumë të tjera, që janë të njohura e që i kam trajtuar edhe më përpara, po i kthehen Albin Kurtit kryeministër si bumerang.
Ai po ballafaqohet me politikat e veta jo koordinuese me SHBA, BE dhe me NATO.
U munduar t’i fshihte, madje pati deklaruar se po koordinohej, por ishte përgënjeshtruar shpejt nga të tria ato.
Tash, ai duhet të heq dorë nga ato që i ka shkaktuar vet, duke pandehur se mund të faktorizohej në mënyrë të gabuar kundrejt SHBA, BE dhe NATO. Por edhe po ta bëjë këtë, kredibiliteti i tij si kryeministër kurrë nuk do të rehabilitohet, po gjithnjë do të konsiderohet si shtetar që nuk mund t’i besohet.
Në anën tjetër, heqja dorë hapur nga karshillëku ndaj SHBA-BE dhe nga mos koordinimi paraprak me NATO, do të ishte një komprometim para elektoratit, e ai po do ta konsumojë patriotizmin si iluzion edhe një mandat.
Kurti ka dhe një hall tjetër, shumë më të madh. Ajo është frika se mos po fiton Trump sërish për president të SHBA. Po të ndodhte kjo, kryeministri o do të bëhej pulë, o do të jepte menjëherë dorëheqje.
Por edhe në BE nuk do të mundet më të manovrojë më. Toleranca është sosur. Presioni është rritur. Kryeministri që hingirisej dikur për trimëri se nuk frikësohet, u zbyth (dhe bëri mirë) nga izolimi i vendit me përjashtim në Procesin e Berlinit.
Po qe se ndodhë të fitoj Trump, Kurti mund të tërhiqet, dhe lidhur me asociacionin me autonomi që ai e pranoi, do t’ia lente si këmbët e arushës në dorë pasuesi të tij eventual.
Albin Kurti kryeministër nuk e kuptoi asnjëherë se forca e vërtetë, reale, e Kosovës qëndron vetëm te bashkërendimi dhe koordinimi paraprakisht për gjithçka me SHBA, NATO dhe BE. Vetëm tash, së fundi, pas vizitës së drejtorit të CIA dhe O’Brien shtihet sikur e ka kuptuar A është vonë? Më shumë se sa e ka lënduar raportin e Kosovës me SHBA, NATO dhe BE – nuk mundet ta lëndojë. Por Albini duhet ta kuptojë realitetin dhe të heq dorë nga populizmi i tij, dhe t’i vërë interesat e shtetit si busull orientimi.
Kurti mundet ta mashtrojë edhe një herë elektoratin, por mos koordinimi me ShBA, BE dhe NATO është ogurzi. Duhet të shohë se si BE po vepron me Orbanin e Hungarisë; se si presidentja e BE e anuloi takimin e paracaktuar me kryeministrin serb vetëm pse priti në takim një ministër rus.
Deri tash, njëmend Kosova ta ka pa vetëm sherrin, e cila është arsyeja me të besua se ti nuk do të vazhdosh njëlloj, kur me radikalitet ke vepruar qe thuaja dy dekada në politikën e Kosovës dhe asnjë të mirë nuk i ke sjellë Kosovës?