Albinin e rrëzoi barra e vetë!

22 prill 2020 | 14:30

Shkruan: Halil Selimi

Sa ishte në fazën e premtimeve dhe zotimeve pa mbulesë e pa përgjegjësi, ishte kundër “shtetit ahtisarian”, siç e quante shtetin e Kosovës; kundër “flamuri lara-lara”; kundër himnit pa tekst; kundër mallrave serbe; kundër negociatave; kundër demarkacionit; kundër marrëveshjeve me Serbinë; kundër “zajednicës”; kundër Listës serbe; kundër korrupsionit; kundër nepotizmit; kundër tenderomanisë; kundër “kapjes së shtetit”; kundër presidentit; kundër kushtetutës; kundër pazareve politike;  kundër, kundër… kundër të gjithëve!?

Ndërkohë, ishte vetëm për bashkim kombëtar dhe Vetëvendosje!

Vërtetë aq barrë të rëndë i ngarkoi vetes, sa nuk do ta përballonte asnjë pushtet! Ky edhe ishte qëllimi i tij, si opozitar: që të rrëzonte çdo pushtet, për t’u ngritur vetë, pastaj. Por, kur e provoi pushtetin, sado që zotimet më të rëndësishme i la rrugës, prapë kishte pesha të rënda për këllqet e një kryeministri! Sado i fortë që deshi të tregohej, nuk qëndroi dot në këmbë as për 50 ditë dhe u përmbys! Çka ishte e rëndë, ishte! Pesha kaq të rënda mund t’i bartte mbi kurriz, vetëm Amerikë po të ishte?! Prandaj, si duket, thënë më së buti, e xhelozon kaq shumë administratën amerikane dhe veçmas z. Grenell!

Përkundër gjithë këtyre zotimeve të pashembullta, do mbahet mend vetëm si qeveri e shkarkim-ngarkimimeve! Shkarko e ngarko ministra e zëvendësa; shkarko e ngarko borde; shkarko e ngarko negociatorë; shkarko e ngarko mallra serbe etj.

Do të kujtohet edhe për zbritjen e pagës së vetë, anise kjo zbritje ishte bërë paraprakisht me ligj (ligji për pagat, që po pret dritën jeshile në Gjykatën Kushtetuese); do të kujtohet edhe për zhbërjen e koordinatorëve; për heqjen e beleshpagave të ish-pushtetarëve; për të vetmin partneritet me Vjosën; por edhe për luftën mediale pandemike, e cila më shumë se shëndetësore është luftë politike!

Dhe, si përfundim, do thosha me gjuhën e popullit: ruajmë zot nga vetvetja (miku), se nga të tjerët (armiqtë) ruhem vetë!

Prishtinë, 22 prill 2020

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një xhami në Stambolln është kthyer në një bankë ushqimore…