Albion Rrahmani sërish ‘Ylli i javës’ në Superligë
Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i javës”. Ky çmim për javën e 21-të në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit të FC Ballkani, Albion Rrahmani.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit, në përbërje: Shyqeri Salihu, Bujar Asllani dhe Berat Berisha.
Sulmuesi i portokallezinjve po kalon në formë të shkëlqyeshme në fillim të stinorit pranveror dhe ka qenë përcaktues në tri fitoret radhazi të kampionëve në fuqi. Ai e fitoi këtë çmim edhe në javën e 19-të, kur shënoi “Hat-Trick”. Ndërkaq, këtë mesjavë, Albion D. Rrahmani , me golin e tij në minutën e 88-të e ndihmoi Ballkanin të realizojë fitore ndaj Trepçës ‘89 në Mitrovicë (1:0).
Çmimin “Ylli i Javës” për futbollistin e FC Ballkani e dorëzoi Arianit Bobaj, menaxheri marketingut në Albi Commerce dhe Albi Market.
Forma nëpër të cilën po kalon dhe rikthimi për ta marrë çmimin e më të mirit të javës, brenda pak ditësh për herë të dytë, ka bërë që Albioni të ndihet tejet i lumtur e krenar, por edhe modest. Ai premton se do të vazhdojë të punojë maksimalisht për ta mbajtur këtë formë sa më gjatë dhe ta ndihmojë ekipin në arritjen e objektivave të këtij edicioni.
“I kam premtuar vetes që do të jap maksimumin çdo xhiro për të ndihmuar ekipin drejt objektivit të mbrojtjes së titullit dhe më gëzon fakti që po rikthehem për ta marrë këtë shpërblim si më i miri i javës. Gjithmonë them se të shpallesh më i miri i javës nuk është vetëm për meritë të punës time, por këtu më ndihmojnë shumë edhe bashkëlojtarët dhe shtabi teknik, të cilëve u jam mirënjohës. Do të vazhdoj punën time nga ndeshja në ndeshje dhe shpresoj që në fund të jem golashënuesi më i mirë në Superligë dhe Ballkani të jetë sërish kampion”, ka theksuar Rrahmani për faqen zyrtare të FFK-së.