Albulena Haxhiu kujton Astrit Deharin: Ne do ta vazhdojmë rrugën të cilën ty ta ndalën në gjysmë
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka kujtuar ish-aktivistin e kësaj lëvizjeje Astrit Dehari.
“Ishim në mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm, diku në përfundim të saj, kur vërejta që diçka nuk po shkonte. Sapo dola nga ai ambient, dikush nga aktivistët më njoftoi për Astritin, ndonëse nuk kishim informacione të sakta nëse Astriti ka vdekur ose po lufton për jetën që e donte aq shumë. Më vonë kuptuam që Astriti vdiq dhunshëm në Qendrën e paraburgimit në Prizren, që u mbajt padrejtësisht dhe politikisht”, ka shkruar Haxhiu në llogarinë e saj në “Facebook”.
Ajo ka theksuar se edhe në dyvjetorin e vdekjes së tij ende nuk ka drejtësi.
“Sikur sot kujtoj dhimbjen shpirtërore që përjetuam, dhimbje kjo që na përcjellë edhe sot sepse humbëm një aktivist të jashtëzakonshëm dhe sepse ende sot nuk ka drejtësi për Astritin. Astrit, ne ishim krenarë që patëm një shok sikur ti. Ne do të vazhdojmë rrugën të cilën ty ta ndalën në gjysmë. Do të jesh përherë në mendjet dhe zemrat tona”, ka shkruar Haxhiu.