Albulena Haxhiu reagon pasi Prokuroria i kërkoi Sveçlës mos t’i jap karakter politik aksionit në Brezovicë

21 dhjetor 2021 | 23:25

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklaratës të zyrës së kryeprokurorit Aleksandër Lumezi lidhur me aksionin e fundit të Policisë së Kosovës në Brezovicë.

Zyra e Prokurorit të Shtetit doli me një reagim rreth deklaratave të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, pasi ky i fundit i komentoi arrestimet në Shtërpcë e Ferizaj, të cilave, sipas Prokurorit të Shtetit, ministri u dha konotacion politik.

Por Haxhiu pretendon se kjo deklaratë është e ngjashme me atë të zyrtarëve të shtetit të Serbisë.

“E papranueshme komunikata nga zyra e Prokurorit të shtetit kundrejt Ministrit Xhelal Sveçla sidomos kur një i ngjashëm erdhi në mëngjes nga Beogradi! Zyra e Prokurorit të shtetit, nuk reagoi ndaj Vuçiqit e Petkoviçit të cilët tërë ditën thanë se arrestimet në Shtërpcë janë politike, por në mbrëmje Prokurori i shtetit reagoi ndaj një statusi të Ministrit Sveçla duke e akuzuar se po përzihet në punët e prokurorisë dhe po i jep ngjyrim politik zhvillimeve të sotme”, thotë ajo në një status në Facebook.

Haxhiu tutje thotë se aksioni është meritë e Qeverisë, pasi ajo i ka hapur rrugë zbatimit të ligjit dhe shton se nuk ka ndërhyrje të Qeverisë në punët e prokurorisë.

“Shtrohet pyetja se ku ishte prokuroria deri sot? Pse nuk vepruan më herët por vetëm pasi u dëmtua një pjesë e madhe e Brezovicës?  Pse nuk vepruan më herët kur ish zyrtarë të lartë duke nisur nga ish presidentë, ish kryeministra e ish ministra dhe udhëheqës të institucioneve shumë të rëndësishme në vend ndërtuan villa në Brezovicë? Kush i pengoi këto hetime? Qeveria jonë i ka hapur rrugën zbatimit të ligjit dhe e ka të drejtën e plotë legjitime që të përshëndes secilin veprim kundrejt krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto nuk janë ndërhyrje. Punën e prokurorisë e kanë penguar ndërhyrjet e shumta në sistem si pasojë e të cilave nuk ka pasur veprime serioze në drejtim të luftës ndaj krimit të organizuar”, shkruan Haxhiu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
22.12.2021 Punime të domosdoshme për siguri të sistemit Prishtinë 1.…