Albulena Haxhiu thotë se Hoti po e bosnjëzon Kosovën
Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se kryeministri Avdullah Hoti është duke e injoruar tërësisht aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin e komunave me shumicë serbe apo “Zajdenicën” siç e përkufizon realisht interesin e Serbisë.
Ajo ka thënë se Hoti është duke tentuar ta jetësojë këtë asociacion, i cili sipas saj bosnjëzon Kosovën.
“Përkundër që Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se plot 23 nene shkelen me atë marrëveshje, Hoti po ngarend andej e këndej vetëm për të jetësuar atë marrëveshje të dëmshme e cila e bosnjëzon Kosovën! ‘Zajdenica’ nuk ka arritur të jetësohet që 7 vite për shkak të rezistencës qytetare dhe opozitare. Prandaj, Hoti duhet ta ketë të qartë që sado zellit të tij për t’i ofruar koncesione Serbisë, nuk mund të ketë ‘zajednicë’ dhe nuk do të lejohet bosnjëzimi i Kosovës. Fatkeqësisht Kosova sot ka një kryeministër ilegjitim që po mundëson kudo interesat e Serbisë, duke e vënë në dyshim shtetësinë e Kosovës. Ai duhet të largohet sa më parë”, ka shkruar Haxhiu në llogarinë e vet në “Facebook”.