Album i guximit në luftë
Vështrim për librin “Guximi, tri ditë bashkë për liri” i autorit Habib Zogaj
Shefqete GOSALCI
Habib Zogaj, padyshim është një emër i njohur në shoqërinë shqiptare.
Dikush mund ta ketë njohur nga ilegaliteti, dikush nga radio dhe televizioni, dikush nga raportimet nga zonat e luftës e shumëkush nga librat. Veprimtaria e tij atdhetare shquhet për ndjeshmërinë, përkushtimin, profesionalizmin dhe guximin. Ai me punë dhe seriozitet ka krijuar autoritet dhe ka lënë gjurmë kudo ku ka vepruar dhe punuar.
Habib Zogaj, pavarësisht plagëve të luftës dhe të pasluftës, me ngulm vazhdon luftën me betejat e jetës, po me të njëjtin stoicizëm. Duke qenë njeri fisnik dhe modest, tipik shqiptar dhe atdhetar i devotshëm, me kulturë të lartë, ai është shembull dhe vlerë e shtuar e shoqërisë.
Titulli i këtij libri, “Guximi, tri ditë bashkë për liri”, i shkruar nga një shqiptar i denjë e guximtar, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga fshati Turjakë, Habib Zogaj, i cili në moshë shumë të re u angazhua në Lëvizjen Kombëtare dhe e kuptoi filozofinë politike, se pushtuesi nuk largohet nga vendi pa luftë të armatosur, mblodhi rreth vetes shumë vullnetarë, djem e vajza, burra e gra, për t’i dal Zot Atdheut, duke i dhënë kuptim shumëdimensional kësaj fjale. Autori shkruan: “Robërinë e ndjente secili. Secili e ndjente shtrëngimin.
Rinia e brumosur me ndjenjën e atdhedashurisë u ngrit ngadalë, kujdeshëm dhe mençurisht për të bërë këtë detyrë. Në çdo mjedis ndjehej lëvizja. As vendbanimi ynë, Turjaka, nuk kishte fjetur. Po lëvizte diçka. Natën dhe ilegalisht të skutuar dhe me maska, por për qëllimin e mirë. Dhe u arrit qëllimi! Jo lehtë, por u arrit. Se si u arrit e dinë edhe këta djem që e bartën mbi kurrizin e tyre organizimin, armatimin, luftimet dhe sukseset në veprime konkrete, ashtu mu sikur ari, që në zjarr provohet”.
Të kesh guxim do të thot ta kesh dhe ta ndjesh brenda vetes lirinë, të kesh besim e shpresë, të kesh frymën, ëndrrën e brumin, vullnetin e disiplinën, të kesh sekretin, motivin e shpirtin, përgjegjegjësinë e zotësinë, vuajtjen, mallin, dhembshurinë, djersën, vajin e gazin e përpjekjen e gjithë brezave shqiptarë që ëndërruan lirinë, të kesh pasionin dhe virtytin më të lartë njerëzor, të kesh atdhedashurinë e dijen, dhe të marrësh përsipër rrezikun për t’i ndryshuar gjërat në thelb, në aspektin pozitiv.
Guximi, para së gjithash është vizion, është humanizëm, urtësi e veprim, është maturi dhe mirësi, vlerë, edukatë e kulturë, është jetë përtej vdekjes. Guximtari, me vetëdije shkon për të vdekur për të tjerët, edhe kur Zoti nuk e merr. Guximtari edhe i vdekur është i gjallë. Të marrësh përsipër organizimin e luftës së armatosur në rrethana të një okupimi klasik siç ishte rasti i Kosovës, (që për disa konsiderohej utopi, duke e llogaritur Serbinë superfuqi ushtarake të Ballkanit), dhe të rekrutosh djem e vajza në radhët e UÇK-së, siç veproi autori i këtij libri në Turjakën e tij, ishte sipërmarrje e madhe e guximshme dhe shumë serioze.
Demonstatat e vitit 1968, 1981, 1997, ishin nëse mund të them, maxhja ku u gatua brumi i UÇK-së. Ato ditë, ata njerëz kërkonin. Koha po kërkonte djem e vajza, gra e burra guximtarë, që morën mbi supe fatin e Kombit dhe me UÇK-në, përpjekjeve shekullore të Kombit tonë për liri e pavarësi po ia vendosnin kurorën.
Lindja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kapërcyellin e shekullit njëzetë, pas përpjekjesh titanike shekullore, të rënda e të mundimshme të Kombit shqiptar, për çlirim e bashkim kombëtar, të shoqëruara brez pas brezi me padrejtësi, pabarazi, përndjekje e tortura mizore, me burgosje e vrasje pa gjyq, nga regjimi totalitar i Serbisë, ishte Rilindje dhe Shkollë e madhe e kohës.
Thënë me fjalë tjera, ne u zgjuam si Komb dhe morëm në duar fatin tonë. Nderime Atdheut- Liri Popullit, kështu komunikohej me popullin. Autori Zogaj, përmes librit “Guximi”, sjell në kujtesë dhe vëmendje shumë emra të përveçëm të UÇK-së, që me gjak i lanë këto troje dhe i lan kokë e gjymtyrë gjithandej Kosovës, sjell shumë fotografi, dokumente e argumente dhe fakte kryeneçe që flasin bindshëm për bëmat, sakrificat, flijimet dhe heroizmat e atyre njerëzve të asaj kohe që janë pasqyra dhe historia e ndritur e saj.
Shumë prej këtyre emrave, djem atdhetarë e luftëtarë të paepur, të Togut të Turjakës, të Njësitit Ushtarak “Çeliku”, të Turjakës, me Komandant Habib (Nezir) Zogaj, dhe zëvendëskomandant Adem E. Kastrati, Turjakës i dhanë emër dhe nder. Bazat (shtabet), në Turjakë: 1. Kulla e Liman (Avdi) Kastratit; 2. Lokali te Rexhep (Rexhep) Berisha; 3. Shtëpia e Ramadan (Bajram) Zogajt. Ushtria ishte popull dhe populli ushtri. (Disa nga luftëtarët: Adem E. Kastrati, Destan R. Kastrati, Qerim J. Zogaj, Muharrem Q. Kastrati, Gëzim H. Kastrati, Bekim H. Kastrati, Nuhi J. Zogaj, Daut M. Kastrati, Smajl R. Berisha, Ilir H, Bytyqi, Hazir R. Zogaj, Aziz A. Zogaj, Lavdim H, Kastrati, Ahmet Sh. Kastrati, Xhemë S. Kryeziu, Mehmet Gashi, Sejdi Berisha, Ahmet Berisha, Betim I. Kastrati etj.) Në themelet e guximit janë ndjenjat, gjaku, betimi, flamuri dhe vendimi.
Ky libër është një album i jetës, që kërkonte jetë. Guximtarët triumfojnë gjithmonë, dhe gjithmonë do të kemi nevojë për guxim. Lavdi e përjetshme martirëve, dëshmorëve e herojve të kombit!
(12.10.2022)