Albumi i burgut
Nga Berat Dakaj
Njëherë e një kohë
u thoshte fëmijëve çdo përvjetor burgu
unë isha i burgosur në këtë burg
dhe së pari ua shfaqte fotografinë e Burgut të Dubravës
isha në këtë dhomë burgu u thoshte
dhe ua tregonte fotografinë e qelisë së burgut
Naiti ishte në këtë tjetrën dhomë
Defrimi ishte aty bashkë me të
Vazhdonte t’i shfletonte fotografitë e albumit të burgut
Izeti, Caku, Musa e të tjerët ishin në dhomat e tjera, ja në këto këtu
i prekte me gisht qelitë në fotografi dhe rrëqethej
pastaj u rrëfente për banjat në burg
për nevojtoret
për rrojtoret
për berberin
për lojërat në burg
për gëzimet dhe pikëllimet
për sharjet dhe për fyerjet
për grushtet dhe shqelmat
kokës, barkut, shpinës, këmbëve, koçeve
për masakrën në oborr nuk u rrëfente kurrë
fëmijët që shikonin fotografitë jashtë burgut
donin të dinin ç’u kishte ndodhur të burgosurve aty
histori e gjatë, histori e gjatë, shumë e gjatë është ajo
u thoshte dhe heshtte, se nuk mund të nxirrte fjalë prej gojës
por, në fund të jetës, kur qe plakur dhe lodhur, foli:
këtu na nxorën, na dhanë nga një tym cigare dhe na thanë thoni:
burgun e ka bombarduar NATO dhe ka vrarë të burgosurit
pasi ishim përballë pushkëve duarlidhur, thamë ashtu siç thanë ata
ndërkohë, ndërkohë, ndërkohë… të gjitha tytat e automatikëve u drejtuan kah ne
dhe filloi masakra që nuk përfundoi vetëm atë ditë dhe atë natë
në çdo përvjetor të masakrës ende shkoj e kërkoj në oborr
gjysmën e dorës sime mbetur aty nga granata
gjysmën e këmbës së shokut tim të këputur nga pushka
zorrët e shokëve s’i kërkoj më, se ato tashmë i kanë ngrënë shpezët
e kërkoj edhe syrin e mikut tim nga Drenica që e shoh ëndërr çdo natë.