Aleancat serbe dhe oportunizmi evropian
Shkruan: Prof. Agim ZOGAJ
Bashkëpunimi me Rusinë
Serbia e sotme, në planin e politikës së jashtme, në fakt politikës nacionale, mbështetet, frymëzohet në traditën e saj të largët, prej themelimit të shtetit serb e këndej. Është krejt e natyrshme një strategji e këtillë e politikës serbe sepse, ideatorët e saj e kuptojnë se, mbi të gjitha, duhet ndjekur politikën e cila të jep rezultate, pra gjithnjë në funksion të planeve për pushtime territoriale. Shikuar nga aspekti historik, Serbia, nga një strategji e tillë, në të shumtën ka dalë fituese. Pra, ka ndërtuar strategji nacionale e cila ka dhënë fryte, e cila e ka mbrojtur interesin serb, i ka sjellë përfitime popullit serbe, edhe kur, tjerët kanë menduar se Serbia ka humbur. Edhe në rastin e luftërave të fundit në ish-Jugosllavi, Serbia, përveçse ngeli pa Kosovën të sunduar gati një shekull, nxori përfitime në Bosnjë e Hercegovinë. Fitoi territor, e krijoi dhe themeloi Republikën Serbe, themelet e së cilës janë vendosur mbi gjenocidin serb ndaj myslimanëve, grave, fëmijëve. Sikur edhe në rastin e Kosovës, ku ushtria pushtuese serbe, në mesin e mbi 16 000 të viktimave, vrau edhe 1 000 fëmijë shqiptarë, Serbia, ushtria serbe, shkaktuan masakra mbi popullsinë myslimane, bëri gjenocid, para syve të Evropës, e cila u bë sikur nuk kuptonte çfarë po ndodhë dhe diplomacia euro-perëndimore lëvizi vetëm nën presionin e fuqishëm të ShBA-së. Tani e 21 vjet Serbia përmes serbëve kosovarë e mban nën kontroll, veriun e Kosovës, madje me pretendimin që, kur të jetë e mundur, t’ia bashkëngjisë shtetit serb.
Serbia e sotme vazhdon hapur ta zgjerojë bashkëpunimin me aleatin historik sllav – ortodoks, Rusinë, të cilit i ka mundësuar që në jug të Serbisë, afër Nishit, ta zgjerojë “qendrën humanitare” me shërbimet e inteligjencës së Rusisë. Qendra ruse e inteligjencës i mundëson Rusisë, mbledhjen e informacioneve, të dhënave për të gjitha shtetet e rajonit, të Ballkanit Perëndimor, pra edhe nga Kosova dhe Shqipëria. T’i bëjmë të ditur lexuesit shqiptar se gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, Rusia nuk kishte mundësi që të krijonte aleanca me Serbinë. Serbia ka bashkëpunim të shtuar me Rusinë, sidomos në fushën e gazit dhe naftës ruse. Edhe më konkretisht pjesa e dytë e gazsjellësit Turk Stream të Gazpromit rus planifikohet të kalojë nëpër Serbi. Një pjesë e konsideruar e kompanisë serbe të naftës tanimë është në pronësi të Gazpromit.
Në planin ekonomik, Serbia, edhe pse herë pas here, jo edhe me aq vendosmëri, ia ka tërhequr vërejtjen BE-ja, e ka nënshkruar marrëveshjen e tregtisë së lirë me Bashkimin Ekonomik Euro-Aziatik të drejtuar nga Moska. Në të njëjtën kohë, Serbia, me Vuçiqin në krye, as që e ka përfillur idenë për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë për shkak të pushtimit ushtarak të Krimesë! Në ndërkohë, ka vazhduar të armatoset nga Rusia, duke blerë armatim të rëndë, përfshirë edhe sistemin kundër avionëve, edhe pse ShBA-ja i kishte tërhequr vërejtjen.
Kina në Serbi
Ndërkohë, një nga partnerët e rinj dhe shumë të besuar të Serbisë është Kina, me të cilën Beogradi zyrtar në vazhdimësi e forcon aleancën, edhe pse ShBA-ja është në marrëdhënie të tensionuara me Kinën dhe me Rusinë. Investimet e Kinës në Serbi tani më kanë kaluar shumën prej 9 miliardëve, ndërkohë që Serbia merr ndihma, favore të vazhdueshme edhe nga BE-ja. Këtë të fundit herë-herë e “frikëson” gjoja se, nëse nuk merr ndihmë nga Brukseli zyrtar, NATO pra, edhe nga ShBA-ja, atëherë në Serbi mund të krijohen realitete të reja, të cilat shtetin serb do ta ofrojnë edhe më fuqishëm me Lindjen, me Rusinë dhe me Kinën. Ishte më tepër se qesharake kur lexoje se Brukseli zyrtar ishte shqetësuar për ndikimin kinez në Serbi, sidomos në kohën e Covid-19. Madje një zyrtar i lartë i BE-së u ankua, kuptohet sa për sy e faqe, përse nëpër Serbi po valon flamuri kinez dhe përse po shkruhen parullat “Faleminderit Kinë”, ndërsa nuk ka falënderime për BE-në. Për çfarë është fjala, për pa fuqi, për jo sinqeritet, apo është kjo lojë diplomatike e BE-së?
E rëndësishme, Serbia me plot guxim dhe pa pengesë, para syve të BE-së dhe NATO-s, po i forcon marrëdhëniet ndërshtetërore me Rusinë dhe me Kinën. Serbia, e përkëdhelura e BE-së, e ka kuptuar se tanimë, edhe nën udhëheqjen e serbomadhit Vuçiq, e ka fituar betejën, duke e imponuar veten si shteti më i fuqishëm në rajon, si shteti pa të cilin, sipas serbëve, nuk ka paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Mirë me të gjithë, keq me askënd!
E pra, si është e mundur që në gjeopolitikat e sotme, të post-modernes, një shtet, një regjim, një popull, si ai serb, i cili shkaktoi dhe zhvilloi katër luftëra në hapësirat e ish-Jugosllavisë, të jetë aq i privilegjuar, t’i shpëtojë gjykimit për gjenocid dhe, tani, fuqishëm të konsiderohet si shtet i cili prodhon paqe, për më keq, shtet nga i cili, sipas serbëve dhe aleatëve të tyre, varet stabiliteti i rajonit, i Ballkanit Perëndimor? Ndërsa në raport me çështjen e Kosovës, mjerisht dhe paturpësisht Serbia, me përkrahjen dinake të aleatëve të saj, jo vetëm Rusisë dhe Kinës, por edhe shteteve të tjera, anëtare të BE-së dhe të OKB-së, paqen me Kosovën po e imponon, po e kushtëzon me një zgjidhje, marrëveshje, sipas së cilës, të dyja palët do të duhej të dilnin fituese.
Pra, kur kemi parasysh çfarë protesta mbarëpopullore po ndodhin në ShBA, si reagim i arsyeshëm i mbytjes tragjike të një qytetari, atëherë përse diplomacia euro-perëndimore është kaq e nënshtruar ndaj Serbisë? Përse BE-ja hesht ndaj faktit që, edhe 21 vjet pas agresionit ushtarak, policor të Serbisë në Kosovë, mbi 1 600 mbetje mortore të civilëve shqiptarë ndodhen të fshehura nëpër malet, lumenjtë, fushat e Serbisë?!