ALEANCAT TONA NDËRMJET ANAMNEZËS SË MUNGUAR DHE AMNEZISË SË IMPONUAR

13 maj 2024 | 20:59

Fuqia ushtarake e UÇK-së mund të ketë qenë më e vogël se sa ajo lëvizjes partizane, por mençuria politike e transformoi në një ushtri fitimtare, natyrisht në krahun e NATO-s. Pra, mençuria e udhëheqësve të projekteve mund të ketë ndikim në zhvillimin e ngjarjeve, çka e bën të rëndësishëm rolin e elitave dhe aftësinë e popullit që të orientohet në pajtim me interesat vitale.

Milazim KRASNIQI

Raporti i shqiptarëve të sotëm dhe i paraardhësve të tyre ilirë, me popuj e shtete të tjera, kësaj radhe me theks tek aleatët, duhet të jetë objekt i një historie kritike, ku do të analizoheshin e ballafaqoheshin të gjitha burimet ekzistuese dhe do të vlerësoheshin realisht të gjitha ato zhvillime, pra si një histori e raporteve të shqiptarëve me aleatët. Por, ne një histori të tillë nuk e kemi ende dhe me gjasë nuk do ta kemi edhe për një kohë të gjatë, për aq kohë sa nuk ndiejmë nevojë për t’u shkëputur nga interpretimet jokritike e edhe pseudoshkencore për të kaluarën tonë. Prandaj na ndodhë jo rrallë që për të njëjtën ngjarje të kemi interpretime diametralisht të kundërta, gjë që e shton konfuzionin dhe e mjegullon të vërtetën. Ne na ndodhë jo rrallë madje që aleatët t’i përjetojmë ose t’i paraqesim si armiq, ndërsa armiqtë t’i paraqesim si aleatë. E vërteta është se ka pasur edhe ndërrim rolesh të tyre nëpër kohë, pra kalim nga njëri status tek tjetri, një ngatërrim fatkeq, pak a shumë të ngjashëm me skenën e fundit të romanit “Ferma e kafshëve” të Xhorxh Orvellit, ku në një zënkë ndërmet njerëzve e derrave, rolet përzihen aq shumë sa që është vështirë të dallohet cili është derri e cili njeriu. Aleatët tanë shpesh janë në aso pamjesh të përziera.

Disa nga faktorët që formojnë dhe shformojnë aleancat tona

Në rastin tonë konkret, pra ilir e shqiptar, në krijimin dhe prishjen e aleancave kanë ndikuar disa faktorë, nga të cilët ne këtu po i skicojmë vetëm disa që na duken relevantë e mbase edhe aktualë: përkatësia gjeografike, fuqia ushtarake, mençuria politike dhe fatet e fshehta, që nuk i rrokë logjika historike.
Në rastin tonë, nga periudhat helenike e romake, përkatësia gjeografike ka qenë me rëndësi për raportet me fqinjët e edhe për aleancat e ndryshme. Që nga pjesëmarrja e disa fiseve ilire në luftën e Trojës, mbase në taborret e kundërvëna, ka vazhduar ajo ngatërresë në aleanca e armiqësi të pandërprera. E drejta, para sundimit romak, kund në shekullin V-IV para erës sonë, Pseudo Skymni e përshkruante Ilirinë si një vend me shumë banorë, në paqe, liri e begati dhe ku njerëzit bënin një jetë të hijshme. Mirëpo shkatërrimi tragjik i asaj jetese të hijshme, erdhi si pasojë e pushtimeve romake (229-228, 119-218) dhe veçmas të vitit 163, me kapitullimin e Gentit, i cili pati një aleancë antiromake me mbretin maqedon, Filipin. Ne nuk jemi në gjendje të vlerësojmë se a ka qenë aleancë e imponuar përballë mujshisë romake, por e dimë se nga ajo aleancë Iliria më kurrë e ka marrë veten, kurrë më nuk ka pasur gjasa të ribëhet. Shkatërrimet që bën Anici dhe Paul Emili në Epir dhe në Iliri janë shënuar në histori si shkatërrim sistematik i mbi tetëdhjetë qyteteve dhe plaçkitje e paimagjinueshme e pasurive të arit. Pra, përkatësia gjeografike, të gjendurit në pjesën lindore të Adriatikut, në rrugën e Romës për ekspansion drejt Lindjes, ka qenë fatale për Ilirinë, ndërsa aleanca e gabuar, ka qenë e imponuar nga ai realitet. Edhe në shekujt e mëvonshëm, në kohën e dyndjeve sllave, në kohën e kryqëzatave, të ekspansionit osman, më vonë të atij austro-hungarez, italian, gjerman, jugosllav e rus, pozita gjeografike në këtë udhëkryq të kontinentit tonë, ka pamundësuar që të arrihen aleanca racionale, po shumica kanë qenë të imponuara. (Në poezinë me titull “Monedha e Gentit” këtë dilemë tonën gjeografike e kam sublimuar në vargjet” “Në njërën anë shungullon nga deti/në tjetrën ulërin nga mali”, pra në njërën anë ishte peshkaqeni, në tjetrën në ishte luani.) Prandaj fuqia ushtarake, sado që të ketë qenë, në kohë e situata të ndryshme, më të shumtën ka qenë e pamjaftueshme për t’u imponuar si aleat kredibil, në raport me shtete perandorake e imperiale, Romën, Bizantin, Bullgarinë, Serbinë mesjetare, shtetin anzhuin, Venedikun, Napolin, Shtetin Osman, Italinë fashiste, Gjermaninë naziste, Jugosllavinë komuniste, BRSS bolshevike, Kinën maoiste. Pra, pothuajse vazhdimisht kemi qenë përballë fuqive të mëdha, me të cilat fuqia ushtarake ka qenë në disproporcion të madh. Rrjedhimisht jo gjithmonë ka pasur sukses në imponimin ose mbrojtjen e interesave strategjike. Ndërsa sa i përket mençurisë së udhëheqësve, edhe ajo ka pasur ndikimet e veta, herë fatale herë fatlume. Po i përmend vetëm dy shembuj, sa për ilustrim. Nga fundi i Luftës së Dytë Botërore lëvizja partizane ishte aleate e Britanisë së Madhe dhe e SHBA-së, të cilat e furnizuan me armë dhe e fuqizuan aq sa ia mundësuan që të dilte forca fituese në skenën e luftës në Shqipëri. Por, ajo aleancë u shkatërrua pas dy vitesh, pas incidentit të Korfuzit, duke e shëndërruar Shqipërinë në armik të tërbuar të Britanisë së Madhe dhe të SHBA-së, për gati gjysmë shekulli. E kundërta ndodhi me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ajo lindi si një lëvizje guerile, me parashenjë majtiste, deri dikund enveriste, por gjatë zhvillimeve të shpejta, u shndërrua në aleate besnike të SHBA-së dhe NATO-s. Fuqia ushtarake e UÇK-së mund të ketë qenë më e vogël se sa ajo lëvizjes partizane, por mençuria politike e transformoi në një ushtri fitimtare, natyrisht në krahun e NATO-s. Pra, mençuria e udhëheqësve të projekteve mund të ketë ndikim në zhvillimin e ngjarjeve, çka e bën të rëndësishëm rolin e elitave dhe aftësinë e popullit që të orientohet në pajtim me interesat vitale. Ne shqiptarët ende nuk e kemi arritë nivelin kritik të të kuptuarit të rolit të elitave. Prandaj edhe kemi me raste lëkundje, hutesa, oscilime dhe gabime. Mjafton të përmendim këtu trazirat e dhunshme të vitit 1997 në Shqipëri dhe të vitit 2004 në Kosovë, të cilat tronditën kombin deri në themel dhe patën elemente të kundërvënies ndaj aleatëve strategjikë, veçmas në Kosovë. Është e vështirë të kuptohet se si ka qenë e mundshme që vetëm pesë vite pas çlirimit të Kosovës nga NATO, protestuesit shqiptarë në Kosovë të konfrontohen me ushtarët e NATO-s.

Në rastin tonë Vullneti Hyjnor si faktor shpëtimtar ekziston

Lidhur me fatet e fshehta, ato që nuk i rrokë logjika historike, në historinë tonë të re ka disa shembuj indikativë. Fjala vjen, në Luftën e Parë Ballkanike ishte planifikuar çrrënjosja e të gjithë muslimanëve nga Ballkani, pra në rend të parë të shqiptarëve, si komb me shumicë absolute muslimane. Ka burime të besueshme që konfirmojnë se projekti e kishte edhe miratimin e disa fuqive të mëdha evropiane, pra jo vetëm të shteteve ballkanike e Rusisë. Projekti do të zbatohej plotësisht, po të mos shkaktohej Lufta e Dytë Ballkanike ku shtetet ballkanike, Serbia e Greqia (po edhe Rumania) u futën në luftë kundër Bullgarisë, me çka shpëtuan shqiptarët në Ballkan po edhe Edreneja dhe vetë Stambolli. Pas Konventës jugosllave-turke të vitit 1937 filloi sërish shpërngulja e shqiptarëve, por nuk u realizua deri në fund ngase në vitin 1941 Gjermania e pushtoi Jugosllavinë, duke e ndërprerë projektin e dëbimit të shqiptarëve dhe të copëtimit të Shqipërisë sipas elaboratit të Ivo Andriqit. Edhe projekti i Millosheviqit i viteve 1998-1999 ishte për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova por edhe ai u pengua nga bombardimet e NATO-s. Këto fate të fshehta mund t’i quajmë vullnet i Zotit, sepse nuk janë brenda asaj që ne quajmë logjikë historike. Bile mund të thuhet se brenda logjikës historike ilirët do të ishin zhdukur të mullirin e romanizimit, ata që mbetën të paromanizuar do të ishin bluar në mullirin e helenizimit e të sllavizimit. Por, mbijetuan dhe e konfirmuan identitetin e veçantë ilir-shqiptar, duke përftuar një komb të ri e dinamik në zemër të Ballkanit. Bindja ime është se në fatet e popujve, krahas përkatësisë gjeografike, fuqisë ushtarake, mençurisë politike, ka ndikim edhe Vullneti Hyjnor. Arsyet e aktivizimit të Vullnetit Hyjnor ne nuk mund t’i kuptojmë, por ne mund ta evidentojmë si fakt që ndodhë në realitetin historik.

Aleanca e sotme dhe kryedilema e sotme

Historia e shqiptarëve në Ballkan ka hyrë në një epokë të re pas rënies së Murit të Berlinit, pas shpërbërjes së BRSS e të RFJ të Jugosllavisë, gjë që mundësoi çlirimin e Kosovës në vitin 1999 dhe vendosjen e trupave të NATO-s në territorin e saj, sado që nën një emër të një trupe paqeruajëtse të OKB-së. Shpërbërja e RFSJ/RFJ mundësoi lindjen e disa shteteve të reja në Ballkan, të cilat orientim strategjik e patën futjen në NATO. Rrjedhimisht, për ne si shqiptarë kulminacioni i kësaj historie është pranimi i Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe të Malit të Zi në Aleancën Veriatlantike. Në shekullin tonë, kjo është kryealeanca në të cilën aderojnë dhe participojnë shqiptarët si komb, sado të ndarë në disa shtete. Mbrojtja kolektive që siguron NATO, e bën më të sigurt ekzistencën dhe zhvillimin e kombit shqiptar. Kjo vlen sidomos për shqiptarët në shtetet që tashmë janë anëtarë të NATO-s, jo domosdoshmërisht për Kosovën në fazën e tashme, kur prezenca e NATO-s është e mandatuar nga rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe si e atillë teorikisht mund të tërhiqet. Por, përderi sa të vazhojë të jetë Rusia kërcënuese për Europën/Perëndimin dhe përderi sa Serbia të jetë shtet vasal i Rusisë, edhe siguria e Kosovës mbetet e fortë në këto konfrontime gjeopolitike, sepse pashmangshëm është aleat i Perëndimit. Por në rast se Serbia shkëputet nga Rusia dhe futet në orbitën atlantike, atëherë çmimi i atij ndryshimi mund të reflektohet edhe në Kosovë. Prandaj në këto realitete të aleancave të favorshme që kemi ne shqiptarët aktualisht, duhet të rritet koordinimi brendashqiptar, që të ndodhë faktorizimi shqiptar brenda sferës euro-atlantike po edhe përballë pretendimeve pansllaviste. Pse? Sepse Kosova ende mbetet dilemë gjeostrategjike e kulturore.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesi i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është shprehur…