Alejandro Giammattei fiton zgjedhjet presidenciale në Guatemalë
Kandidati konservator dhe ish-shefi i burgut, Alejandro Giammattei është zgjedhur president i Guatemalës.
Rezultatet preliminare kanë treguar se ai ka fituar 59 për qind të votave, derisa kundërshtarja e tij e qendrës së majtë, Sandra Torres, ka fituar 41 për qind të votave.
Pak para se të bëheshin publike rezultatet, Giammattei ka thënë se dëshiron të ndryshojë marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara për migrimin.
Ai është zgjedhur për një mandat katërvjeçar, duke zëvendësuar presidentin në shkuarje, Jimmy Morales.
“Ne do ta rindërtojmë Guatemalën. Nuk kam fjalë për të përshkruar sa mirënjohës jam”, ka thënë ai.
Giammattei i ka thënë agjencisë së lajmeve “Reuters” se dëshiron të shohë se çfarë mund të bëhet për të përmirësuar një marrëveshje të arritur mes presidentit në shkuarje Morales dhe presidentit amerikan, Donald Trump, i cili synon të ndalojë migrimin në Shtetet e Bashkuara, duke e shfrytëzuar Guatemalën si zonë neutrale.
Morales ka nënshkruar këtë marrëveshje më 27 korrik, vetëm disa ditë pasi presidenti Trump ka kërcënuar se mund ta godasë Guatemalën me tarifa dhe sanksione tjera.
Mirëpo Giammattei nuk do të fitojë pozitën deri në janar të vitit 2020, kur veçse do të fillojë të zbatohet kjo marrëveshje.
“Shpresoj se gjatë periudhës së tranzicionit do të kemi më shumë informata dhe mund të shqyrtojmë nga ana diplomatike se çfarë mund të bëjmë për t’u larguar nga kjo marrëveshje dhe të bëjmë zgjidhje më të mirë për ne”, ka thënë ai. /Rel/