Aleksandar Grbovic që vdiq në rrethana të dyshimta në Kopaonik dëshmitar për rastin e Banjskës?
Muajin e kaluar në Serbi vdiq Aleksandar Grbovic, drejtor i ndërmarrjes Novi Pazar Put dhe kolonel i pensionuar i Ushtrisë së Serbisë. Grbovic ka vdekur më 17 gusht në moshën 58 vjeçare.
Grbovic ka pasur lidhje me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq si dhe me të akuzuarin për sulmin në Banjskë Milan Radojiçiq.
Sipas burimeve, vdekja e Grbovic dyshohet se është e ndërlidhur me dëshmin eventuale të tij për sulmin në Banjskë.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur sot aktakuzë ndaj 45 personave organizim dhe kryerje të sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës, në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023.
Lidhur me rastin e vdekjes së dyshimtë të Grbovic, eksperti i sigurisë, Agim Musliu, kishte ngritur pikëpyetje rreth raportimeve të mediave serbe për vdekjen e Grbovic për të cilin thoshte se është pjesëtar i shërbimit sekret të Ushtrisë së Serbisë, Aleksandar Grbovic.
Tutje Musliu kishte shkruar se vdekja e tij është e dyshimtë pasi Grbovic ka vdekur në Kapaonik në hotelin dhe ahengun e Radojçiqit.
“Mediat serbe raportuan për vdekjen e Aleksandar Grbovic’it, pjesëtarit shërbimeve sekrete serbe të Ushtrisë së Serbisë. Vdekja e tij është shumë e dyshimtë, duke marrë parasysh se, ai ka vdekur pikërisht në Kopaonik, në hotelin e dhe ahengun e Radoicic’it.”
Sipas Musliut në Serbi nuk do të zbardhet shkaktari i vdekjes së Grbovic, por Musliu ngriti dyshimet se ai ka qenë i dyshuar për tradhti ose për “ndarje të kulaçit”.
“Natyrisht, në Serbi kurrë nuk do të zbardhet shkaktari i vdekjes së tij. Por, duke marrë parasysh traditën e Serbisë, sipas të gjitha gjasave, Grbovic ka qenë i dyshuar për tradhti. Ose, së paku interesat mafioze të ndarjes së “kulaçit”.”
“Ajo që dihet sigurisht, edhe nga të dhënat e konfirmuara të institucioneve të Republikës së Kosovës, është se Aleksandar Grbovic ka qenë njëri nga njerëzit më të besueshëm të kryeterroristit Milan Radoicic.”, kishte shkruar Musliu.