Aleksandër Moisiu, gjeniu i artit skenik botëror
Prof. dr. Isak Shema
Veprimtari e rëndësishme e Isak Gutës kushtuar Aleksandër Moisiut
Aleksandër Moisiu është artisti shqiptar me famë botërore. Ai me veprimtarinë e shkëlqyer artistike ishte në skenat e ndryshme të teatrove më të njohura të botës që nga viti 1899 dhe deri në vitin 1935
Aktiviteti kulturor, arsimor dhe shkencor i Autorit Isak Gutës është shumë i pasur dhe përfshinë spektër të gjerë shkrimesh publicistike, botime monografike skenarë filmash, dokumentarë filmikë, organizim i ekspozitave, pikturave, fotografive, hulumtime arkivore dhe organizim të programeve kulturore. Figura qendrore është ajo e artistit të madh me famë botërore, Aleksandër Moisiut.
Angazhimi shumëvjeçar për të ndriçuar sa më mirë figurën e aktorit të madh, ka qenë mision i tij i pandërprerë. Shfaqjet e programeve artistike në shumë qendra kulturore shqiptare, në shkolla, në institucione universitare ka ndikuar në edukimin arsimor dhe artistik të rinisë dhe të lexuesve. Përkushtimi i tij në vazhdimësi ka realizuar synimin që Moisiu të jetë i pranishëm në jetën kulturore në të gjitha viset shqiptare, ndërsa artisti shqiptar të shkëlqejë me madhështinë e vet dhe të frymëzojë brez pas brezi artistët e talentuar për t’u marrë me artin dhe me aktivitete kulturore.
Shkrimeve kritike dhe veprave të shumta studimore kushtuar Moisiut, i shtohet edhe seria e veprave të botuar dhe i ekspozitave të autorit Isak Guta.
Në veprën sintezë “Aleksandër Moisiu – Emblema”, të botuar në vitin 2016, që përfshin tekste në 485 faqe, ai përmbledh në kuadër të Emblemës tërësinë e librave më të cilat ai ka paraqitur para lexuesve të shumtë në të gjitha trevat shqiptare dhe në diaspore shumë aspekte të rëndësishme për jetën dhe veprimtarinë artistike të Moisiut, yllit të pashuar të dramaturgjisë dhe të teatrit botëror të gjysmës së parë të shekullit XX.
Veprat kryesore kushtuar Moisiut janë: “I madhi midis të mëdhenjve”, “Tok me Moisiun”, “Pranvera shqiptare e Moisiut”, “Rilindja e Moisiut”, “Emblema” dhe “Moisiu dhe bëma e librit”.
Përmbajtja e lëndës së librit Emblema është mbarështuar në tri pjesë dhe në 19 kapituj. Në njëzet faqet e para është dhënë teksti hyrës: portreti i Moisiut, parafjala, Ideja e studimit dhe botimit, paraqitja e shkrimeve për A. Moisiun si edhe fjala e redaktorit dhe recensuesit.
Kërshërinë e lexuesve që në fillim zgjojnë tekstet e pjesës së parë: Trungu familjar i Moisive, përkatësia, origjina kombëtare e Moisit, Vjena dhe Aleksandër Moisiu, Praga Moisiu dhe shekulli i ri, Aleksandër Moisiu dhe Berlini, Moisiu dhe bota e brendshme shqiptare, Aleksandër Moisiu dhe Lufta e Parë Botërore, Aleksandër Moisiu, figurë ideatrore e artit skenik, Arti i Moisiut dhe artistët rusë, Aleksandër Moisiu – emblemë e artit skenik botëror dhe Moisiu – flakadan i kombeve dhe vazhdimësi e legjendës vigane.
Në vazhdim të kësaj tërësi përmbajtjesore përmblidhen shkrimet për ekspozitën dyzetvjeçare të udhëtimit të Aleksandër Moisiut, e kompletuar nga autori më portrete, dokumente arkivore dhe tekste shkrimesh të ndryshme për Aleksandër Moisiun.
Në pjesën e dytë të këtij libri voluminoz, pas gjurmëve shpaloset komunikimi me imazhe. Me ditarin Moisiu, zë vend Filmografia dhe koncepti i Hamletit, nga interpretimet krijuese të Moisiut. Kapitujt e tjerë janë në funksion të paraqitjes së karakterit shqiptar të Moisiut, veçanërisht në rolin e Hamletit.
Në pjesën e tretë përfshihen përmbajtje të pasura dhe shkrime vlerësuese nga autori i librit, por dhe vështrime të tjera kritike të studiuesve të tjerë, siç janë: Jorgo Bulo, Nehas Sopaj, Agim Selimi, Petrit Malaj, Fatmir Sulejmani, Kujtim Çashku dhe Dibran Fylli.
Në fund përmblidhet bibliografia dhe literatura. Botimet e veçanta dhe punimet kushtuar Aleksandër Moisiut nga autorë të huaj dhe shqiptarë që nga viti 1920 dhe deri më sot, siç janë: Emil Faktor, Hans Bohm, Nehat Islami, Bardhyl Kosova,Vangjel Moisiu, Musa Ramadani, Shaqir Foniqi, Rudiger Schaper, Gjergj Vlashi etj.
Vlerësimet kritike për botimet e autorit Guta shquajnë aspekte me interes për kulturën, për shkencën, dhe veçanërisht për dramaturgjinë. Përmbajtja e serisë së botimeve është shumë e gjerë dhe me karakter enciklopedik. Autori ka arritur të paraqes angazhimet e Moisiut me rolet kryesore në teatër në qendrat më të mëdha botërore. Risitë që përfshihen në shkrimet dhe paraqitjet para lexuesve dhe publikut janë mbresëlënëse.
Figura poliedrike e Moisiut, e dashur dhe e admirueshme, është përjetësuar ashtu si edhe në veprat e tjera të autorëve shqiptarë dhe të huaj.
Aleksandër Moisiu, gjeniu i artit skenik botëror të shekullit XX, në këtë vepër, si edhe në shumë botime të tjera, i pranishëm në kujtesën e përbotshme, me shkëlqimin e epokës së artit të kohës edhe në shekullin e ri, është paraqitur si Emblemë e përhershme, ka simbolikën e vet dhe si e tillë,ka jehonën e madhe në kulturën shqiptare dhe botërore.