Aleksei Navalny varroset në Moskë
Mijëra persona me lule në duar, të rrethuar nga forcat e sigurisë ia kanë dhënë lamtumirën e fundit kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny, i cili është varrosur të premten në varrezat Borisovskoye në Moskë.
Ka raportime se në momentin e varrosjes së trupit të tij, është dëgjuar kënga “My Way” e Frank Sinatras.
Ai ka vdekur më 16 shkurt në një burg rus në Arktik në rrethana misterioze, raporton Rel.
Para varrimit, në Kishën “Ikona e Nënës dhe Zotit”, është mbajtur një ceremoni përkujtimore, në të cilën kanë marrë pjesë edhe prindërit e tij.
Prindërit Anatoliy and Lyudmila, nuk kanë bërë ndonjë koment publik.
Ka pasur njerëz që u janë afruar prindërve duke u thënë “faleminderit për birin tuaj” dhe “na falni”.
Disa persona janë dëgjuar duke bërtitur jashtë kishës, “ekzekutues”, “Rusia do të jetë e lirë”, “jo luftës”.
Të tjerë kanë thënë duke qarë, “nuk do të të harrojmë”.
Ceremonia është mbajtur te kisha në qarkun Marjino, ku ka jetuar Navalny për një kohë, sipas ish-zëdhënëses së tij, Kira Yarmysh.
Diplomatë të huaj, përfshirë ambasadorët e Shteteve të Bashkura, Gjermanisë, Francës kanë shkuar në kishë për të nderuar Navlanyn.
Ata janë parë të veshur në të zeza dhe me trëndafila në duar.
Në rrugën drejt kishës janë vendosur shumë gardhe metalike.
Të paktën 40 makina të policisë janë parkuar afër kishës në mëngjesin e 1 marsit.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e ka lëshuar një paralajmërim përmes gazetarëve se çdo organizim i paligjshëm do të konsiderohet shkelje e ligjit, një lloj kërcënimi që policia do të intervenonte shpejt nëse duhet të merret me turmat.
Ai ka thënë se Kremlini nuk e konsideron Navalnyn si politikan dhe nuk ka asgjë për të thënë për familjen e Navalnyt.
Në ceremonitë ortodokse, njerëzit zakonisht parakalojnë para trupit të të vdekurit, për t’i dhënë lamtumirën e fundit, dhe më pas ceremonia udhëhiqet prej një prifti dhe më pas një kori.
Qindra rusë janë arrestuar vetëm pse kanë dërguar lule nëpër qytet për të përkujtuar Navalnyn.