Alexis Tolefree: E lumtur që po përfaqësoj Kosovën
Kosova A për herë të parë do të luajë në garat ndërkombëtare. Vashat dardane do të garojnë në Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla në Qipro, nga 20 deri më 25 Korrik. Basketbollistja e vetëm e natyralizuar te Kosova është Alexis Tolefree.
“Jam e lumtur që jam pjesë e Kosovës dhe për herë të parë do të garojmë në arenën ndërkombëtare. Jam e lumtur që jam pjesë e kësaj gjenerate. Bashkëlojtaret dhe stafi më kanë pritur shumë. Me disa kemi luajtur së bashku dhe e njohim njëra-tjetrën”, ka thënë Tolefree për faqen zyrtare të FBK-së.
Basketbollistja e cila mbron ngjyrat e Prishtinës ka folur për përgatitjet.
“Deri më tani kanë shkuar mirë. Kemi zhvilluar edhe një ndeshje miqësore me Shqipërinë U20. Kemi edhe disa ditë përgatitje deri në fillimin e garave. Besoj se do të jemi gati”, shtoi tutje organizatorja amerikane. Në fund ajo foli edhe për synimet. “Ne do të shkojmë të japim maksimumin dhe shpresojmë në paraqitje dhe rezultate pozitive”, ka nënvizuar Alexis Tolefree. Kosova është në grup me Qipron dhe Luksemburgun.