Ali Ahmeti: 12 prilli do të shënojë fitoren më të madhe të BDI-së
Në Degën e Bogovinës, në Kuvendin Zgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) ku është zgjedhur kryesia e re e cila do të jetë nën udhëheqje të kryetares së re, Sahide Bajrami, prezent ishte edhe kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti.
Para banorëve të Komunës së Bogovinës, Ahmeti është shprehur se nuk do të ishin misionarë në rast se mbi shpatullat e tyre nuk do të avanconin gjeneratat e reja. Ai ka thënë se nuk do të ishin largpamës në rast se nuk do të hapnin krahun, andaj sipas tij çdo kuvend zgjedhor që është mbajtur nga ana e BDI-së, e ka shtuar autoritetin tek votuesit dhe tek qytetarë.
Ahmeti është shprehur i bindur se BDI-ja do të dalë fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të cilat do të mbahen në Maqedoninë e Veriut më 12 prill 2020.
“Pikërisht unë sot shoh datën 12 prill të vitit 2020 si fitoren më të madhe të Bashkimit Demokratik për Integrim . Me një bashkim të këtillë nuk ka forcë që neve na mund, pasi që në radhë të parë kemi vendosur misionin, idealet dhe tani funksionet. Nuk ka funksion pa një mision, nuk ka mundësi të arrish tek qëllimi në rast se i humb idealet. Ne jemi Bashkimi i Idealeve, i misioneve dhe misionet duhet t’i shpiem përpara”.
“Jo se kjo është familja jonë, por më tregoni një lëvizje apo parti që ka kontribut në këto hapësira ma shumë se familja jonë. Gjithçka lidhet me familjen tonë, që nga alfabeti deri tek universiteti, që nga përfaqësimi i drejt deri tek simbolet kombëtare, të gjitha janë vepra kapitale të cilat do të shfrytëzohen nga shqiptarët dhe këto vepra të pavdekshme i ka krijuar familja jonë e madhe e Bashkimit Demokratik për Integrim si vazhdimësi e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare”, ka thënë Ahmeti.
Ai ja thënë se mosdhënia e datës për hapjen e negociatave për aderim në Bashkimin Evropian është dënuar nga vetë autoritet e Brukselit, duke e quajtur një gabim të madh historik.