Ali Ahmeti: 137 mijë vota të Pendarovskit ishin tonat
Partitë politike shqiptare përvetësojnë meritat për fitoren e Stevo Pendarovskit në raundin e dytë për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut.
Subjektet që kanë mbështetur kandidaturën e tij, duke akuzuar njëra-tjetrën kanë pretenduar se trupi i tyre elektoral i ka garantuar fitoren presidentit të ri të Maqedonisë së Veriut.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti mbrëmë pak mitura pas mbylljes së kutive, duke iu referuar të dhënave nga qendrat analitike të subjektit tij, ka theksuar se kjo parti ia ka garantuar fitoren Pendarovskit, duke akuzuar opozitën për bojkotimin e balotazhit.
“Pa hyrë në detaje, por në bazë të dhënave që mi jep sektori analitik, lëvizjet nga 100-137 mijë vota të cilat BDI i ka siguruar për Pendarovskin. Ne e kemi ditur se kemi opozitë jo të përgatitur për udhëtime të gjata dhe sot jam shumë i dëshpëruar me bojkotin që krerët e opozitës i kanë bërë këtij procesi kaq madh që ka ndodhur në vendin tonë”, ka thënë Ahmeti.
Ndërsa, Lëvizja Besa ka kundërshtuar idenë e partive shqiptare në pushtet. Sipas Arjanit Hoxhes, votat e opozitës shqiptare bënë që rrethi i dytë të dallojë nga rrethi i parë zgjedhor.
“U dëshmua që në raundin e parë zgjedhorë se kush sa e ka peshën votuese. U dëshmua se vendimtare është vota e partive opozitare shqiptare dhe ajo votë që u morr në raundin e parë u dëshmua edhe me fitoren e zgjedhjeve dhe mos rënien e procesit. Forca e partive shqiptare në Qeveri, BDI-së dhe tre të tjera u dëshmua që në raundin e parë”, ka thënë Hoxha.
Bojkotin e ka mohuar edhe Aleanca për Shqiptarët (ASh) nga ku BDI-së ia ka kujtojua rezultatin e votave shqiptare në rrethin e parë zgjedhor.
“Sikur opozita shqiptare ta kishte bojkotuar këtë proces, nuk do të ishte arritur cenzusi dhe zgjedhja e Pendarovskit do të ishte e pamundur. Nëve që në raundin e parë matëm forcat me partitë shqiptare dhe aty u pa që BDI-ja ishte e pamjaftueshme për t’i dhënë përkrahje një kandidati për president”, ka thënë Flakron Bexheti, zëdhënës i ASh-së.
Kryeministri Zoran Zaev ka porositur subjektet shqiptare që të mos krekosen në përvetësimin e votave.
“Të mos krekosemi ne politikanët. Votuesit askush nuk i mban në xhep e të thotë se i siguroi ose jo dikujt vota. Janë politikat ato të cilat i mbështesin qytetarët, duke filluar nga të LSDM-së dhe të tjera”, ka thënë Zaevi.
Merita për rezultatin kanë përvetësuar edhe subjektet shqiptare në pushtet, PDSh-ja, Alternativa dhe RDK-ja. Në rrethin e dytë, Stevo Pendarovski ka shënuar fitore absolute në të gjitha komunat të banuara me shqiptarë, raporton “Alsat-M”.